Rama mbron Veliajn: Po trajtohet si kriminel pa gjyq, dënohet fëmija 6 vjeç

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke e cilësuar trajtimin e tij dhe të bashkëshortes si të pabarabartë dhe të padrejtë.

Gjatë një bashkëbisedimi me komentuesit në Facebook, Rama u shpreh se ndaj Veliajt po merren masa ekstreme, ndonëse ai nuk është dënuar ende nga drejtësia.

Ai vuri në dukje mungesën e një standardi të njëjtë në trajtimin e rasteve të ngjashme, duke theksuar se në raste të tjera nuk janë marrë masa kaq të rënda sigurie. Rama solli në vëmendje edhe faktin se Veliaj ka një fëmijë gjashtëvjeçar, i cili tani ndodhet në një situatë të vështirë, pasi nëna e tij është në “arrest shtëpie” dhe babai në qeli.

“Në këtë proces pas pesë vitesh, institucionet kanë krijuar një vetëbesim të plotë, por u ka munguar kritika konstruktive. Nga një novelë e dorëzuar në SPAK vitin e kaluar, kemi përfunduar me një roman 4,000 faqesh, ku gjykata ka vendosur të lërë nënën me fëmijën në arrest shtëpie, ndërsa babain në qeli. Kush do ta marrë dhe ta çojë këtë fëmijë në shkollë? Kush do të kujdeset për të?” – deklaroi Rama.

Kryeministri krahasoi rastin e Veliajt me raste të tjera, ku sipas tij, për arsye të ndryshme janë trajtuar ndryshe. Ai e cilësoi këtë si një mungesë uniformiteti dhe një qasje të ashpër, duke theksuar se nuk mund të flitet për faje apo krime pa një vendim të formës së prerë nga gjykata.

“Më thonë ‘bëhu burrë dhe jep dorëheqjen’. Për çfarë arsye ta jap? A ka një vendim gjykate për një krim të provuar? Apo do të dënojmë njerëzit me akuza të pabazuara?” – u shpreh ai.

Reagimi i Ramës vjen mes një klime të tensionuar politike dhe juridike, ku arrestimi i Veliajt ka shkaktuar polemika dhe ndasi në opinionin publik. Kryeministri e konsideroi situatën një padrejtësi që nuk duhet të kalojë në heshtje.

Ndërsa procesi ndaj Veliajt dhe të tjerëve të përfshirë vijon, mbetet për t’u parë se si do të zhvillohen ngjarjet dhe çfarë ndikimi do të ketë kjo çështje në politikën dhe qeverisjen e kryeqytetit.

Ndaj Postimin: