Konferenca e Sigurisë në Mynih, një nga forumet më prestigjioze për politikën globale të mbrojtjes, hap dyert mes pasigurive të thella në marrëdhëniet transatlantike.
Për dekada me radhë, Evropa ka mbështetur sigurinë e saj tek aleanca me Shtetet e Bashkuara, por me kthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ky ekuilibër po vihet seriozisht në pikëpyetje.
Me moton e tij “Amerika e Para”, Trump ka përcaktuar një qasje të re ndaj aleatëve, duke bërë të qartë se mbrojtja nuk është më një shërbim i garantuar pa kushte. Në Mynih, ku liderë botërorë dhe ekspertë të sigurisë do të takohen nga 14 deri më 16 shkurt, pritet të shtrohen pyetje të vështira për të ardhmen e NATO-s dhe peshën financiare që vendet evropiane duhet të mbajnë për mbrojtjen e tyre.
Pritet që mbi 60 krerë shtetesh dhe qeverish të marrin pjesë në këtë konferencë, mes tyre edhe Zëvendëspresidenti i SHBA J.D. Vance dhe Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Ndërkohë, një delegacion i madh nga Senati dhe Kongresi amerikan do të jetë prezent, duke reflektuar rëndësinë që Uashingtoni i kushton këtij takimi. Megjithatë, mungesa e Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth ka ngritur pikëpyetje mbi nivelin e angazhimit amerikan.
Në fokus të diskutimeve pritet të jetë kërkesa e Trump që vendet e NATO-s të rrisin buxhetet e tyre të mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky objektiv është shumë larg realitetit aktual, pasi Gjermania me vështirësi po arrin pragun e 2%, tashmë i vendosur si standard minimal. Nëse Evropa nuk e merr seriozisht këtë paralajmërim, rrezikon të mbetet e pambrojtur përballë kërcënimeve globale.
Një tjetër çështje kritike është e ardhmja e mbështetjes perëndimore për Ukrainën. Trump ka sinjalizuar një qasje më pragmatike, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni mund të tërhiqet nga mbështetja e pakushtëzuar për Kievin. Në këtë kontekst, pritet që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe përfaqësuesi i Trump për Ukrainën, Keith Kellogg, të diskutojnë mbi mundësinë e një plani paqeje. Por, pa një mbështetje të qartë nga SHBA, pozicioni i Ukrainës në tryezën e negociatave mund të dobësohet ndjeshëm.
Rusia Mungon
Mungesa e përfaqësuesve zyrtarë të Rusisë në këtë konferencë është një tjetër tregues i tensioneve të larta gjeopolitike. Organizatorët kanë theksuar se ftesat bazohen në “gatishmërinë për dialog”, një kriter që Moska nuk e plotëson për sa kohë që refuzon të njohë qeverinë e Zelenskyt. Në vend të tyre, priten përfaqësues të opozitës ruse dhe organizatave joqeveritare.
Një tjetër pikë e nxehtë që mund të shkaktojë polemika është deklarata e Trump për Groenlandën, e cila shkaktoi shqetësime të mëdha në Evropë. Nëse kjo çështje diskutohet në Mynih, pritet të ketë kundërshtime të ashpra nga liderët evropianë, të cilët kanë paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara duhet të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe paprekshmërinë e kufijve.
Konferenca e këtij viti zhvillohet gjithashtu vetëm një javë para zgjedhjeve të parakohshme në Gjermani, duke e bërë atë një arenë për premtime dhe debate mbi të ardhmen e mbrojtjes së Evropës. Kandidatët kryesorë për kancelar pritet të artikulojnë qëndrimet e tyre për financimin e ushtrisë dhe strategjinë e sigurisë, ndërkohë që shqetësimi për rritjen e tensioneve ndërkombëtare po shton presionin për një përgjigje më të fuqishme nga Berlini dhe Brukseli.
Në fund të fundit, pyetja kryesore që mbetet pa përgjigje është nëse Gjermania dhe Evropa janë gati të marrin fatin e tyre në duart e veta, apo do të mbeten peng të pasigurive të një partneriteti gjithnjë e më të paqëndrueshëm me SHBA.