Lista Serbe thyen heshtjen zgjedhore, kandidati Kostiç bën thirrje për vota

Kandidati për deputet i Listës Serbe, Milan Kostiç, ka thyer heshtjen zgjedhore duke publikuar një mesazh drejtuar mbështetësve të tij, në të cilin u bën thirrje të votojnë për partinë e tij.

Përmes një postimi, Kostiç jo vetëm që promovoi subjektin e tij politik, por gjithashtu sugjeroi hapur numrat e kandidatëve për të cilët serbët duhet të votojnë. Ky veprim bie në kundërshtim me rregullat zgjedhore, të cilat ndalojnë çdo formë të fushatës pas hapjes së qendrave të votimit.

Në mesazhin e tij, kandidati serb përdori edhe retorikë nacionaliste, duke e shoqëruar thirrjen e tij me sloganin “Të gjithë për Serbinë”. Kjo qasje pritet të nxisë reagime, pasi fushatat me tone të tilla kanë qenë shpeshherë burim polemikash në proceset zgjedhore në Kosovë.

Sipas nenit 37 të Ligjit të ri zgjedhor, heshtja zgjedhore fillon me hapjen e qendrave të votimit në orën 07:00 dhe zgjat deri në mbylljen e tyre në orën 19:00. Gjatë kësaj periudhe, çdo formë fushate dhe publikimi i sondazheve është i ndaluar me ligj.

Thyerja e heshtjes zgjedhore mund të sjellë pasoja ligjore për partitë dhe kandidatët që shkelin këtë rregull, megjithëse mbetet për t’u parë nëse autoritetet do të marrin masa ndaj Kostiçit.

Kjo nuk është hera e parë që Lista Serbe përballet me akuza për shkelje të rregullave zgjedhore, ndërsa gara e tanishme konsiderohet një test i rëndësishëm për integritetin e procesit votues.

Ndaj Postimin: