Në lidhje me protestën e zhvilluar më 8 shkurt 2025 para Kryeministrisë, ku pati tensione mes protestuesve dhe forcave të policisë, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 kanë identifikuar dhe arrestuar shtetasin E.T., 19 vjeç, banues në Tiranë.
Ky person dyshohet se, në bashkëpunim me individë të tjerë ende të paidentifikuar, ka hedhur lëndë plasëse artizanale dhe lëndë piroteknike në drejtim të punonjësve të policisë, gjatë shërbimit të tyre për të ruajtur rendin gjatë protestës.
Si pasojë e hedhjes së këtyre lëndëve, tre punonjës të policisë kanë pësuar lëndime dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në spital. Hetimet janë intensifikuar për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të identifikuar të gjithë ata që ishin të përfshirë në aktet e dhunshme.
Në vijim të hetimeve, janë nisur procedime edhe për disa persona të tjerë, që për momentin janë në gjendje të lirë. Shtetasit O.Gj., 18 vjeç, A.D., 40 vjeç, D.C., 19 vjeç, të gjithë banues në Korçë, si dhe F.L., 24 vjeç, banues në Tiranë, janë nën hetim për veprimtarinë e tyre gjatë protestës.
Pas përfundimit të protestës, autoritetet e rendit kanë kryer një këqyrje të detajuar të vendit të ngjarjes, ku janë sekuestruar prova materiale, përfshirë objekte dhe sende që ishin hedhur në drejtim të punonjësve të policisë dhe në selinë e Kryeministrisë. Këto prova janë dërguar për ekspertim të mëtejshëm.
Për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të identifikuar të tjerë persona të përfshirë në veprime kriminale, vijon këqyrja e pamjeve filmike nga vendi i ngjarjes. Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës, e cila do të marrë veprime të mëtejshme në kuadër të hetimeve për këtë rast.