Zgjedhjet në Kosovë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare

Mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë zgjedhjeve parlamentare që po mbahen sot në Kosovë, duke i cilësuar ato si një test kyç për qeverinë aktuale dhe kryeministrin Albin Kurti.

Sipas “Independent”, këto zgjedhje shënojnë herën e parë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 që parlamenti i Kosovës e ka përfunduar një mandat të plotë katërvjeçar. Kjo është gjithashtu hera e nëntë që vendi zhvillon votime parlamentare që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999. Zgjedhjet do të përcaktojnë drejtimin politik të Kosovës dhe liderët që do të udhëheqin bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të cilat janë bllokuar prej një viti. Megjithatë, sipas burimit britanik, këto negociata nuk janë në krye të agjendës së asnjë partie politike.

Agjencia “Reuters” thekson se Kosova po zhvillon zgjedhjet në një situatë të tensionuar me Serbinë. Po në të njëjtën linjë, “The Washington Post” vëren se ndonëse Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit shihet si favorite, ajo mund të mos sigurojë shumicën e mjaftueshme për të qeverisur e vetme. Në këtë rast, sipas analizave, dy partitë kryesore opozitare do të përpiqen të krijojnë një bllok politik kundër saj.

Gjatë fushatës elektorale, liderët politikë kanë bërë premtime të shumta për rritjen e pagave dhe pensioneve, përmirësimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor, si dhe uljen e varfërisë. Megjithatë, sipas analizës së “Euronews”, programet zgjedhore nuk kanë dhënë sqarime të qarta mbi burimet financiare që do të mbështesin këto angazhime dhe as për strategjitë e tërheqjes së investimeve të huaja.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mbeten dy rivalët kryesorë të Lëvizjes Vetëvendosje. PDK përballet me sfida të mëdha, pasi disa nga liderët e saj kryesorë ndodhen në Gjykatën e Hagës për akuza të lidhura me krimet e luftës. Nga ana tjetër, LDK, e cila dikur ishte forca politike më e fuqishme në Kosovë, ka humbur një pjesë të madhe të mbështetjes pas vdekjes së liderit historik Ibrahim Rugova në vitin 2006.

Pavarësisht sfidave politike dhe ekonomike, fushata ka qenë dinamike, me partitë që kanë kërkuar të bindin votuesit për vizionin e tyre për të ardhmen e vendit. Kryeministri Kurti ka bërë thirrje për mbështetje të gjerë, duke theksuar se këto zgjedhje janë vendimtare për drejtimin që do të marrë Kosova.

Rezultatet e zgjedhjeve pritet të tregojnë nëse Vetëvendosje do të arrijë të sigurojë një mandat të dytë me një shumicë të qëndrueshme apo nëse vendi do të përballet me negociata të vështira për krijimin e një koalicioni të ri qeverisës.

Ndaj Postimin: