Protesta e opozitës në Tiranë ka përfunduar pas një zhvillimi të shpejtë që zgjati rreth dy orë, duke u mbajtur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë.
Tubimi i organizuar nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj u bë pas akuzave të forta të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili akuzoi Edi Ramën dhe qeverinë e tij për korrupsion dhe abuzim me fondet publike.
Ndryshe nga protestat e mëparshme, që u shoqëruan me bllokime rrugësh dhe veprime të mosbindjes civile, këtë herë organizatorët ndryshuan formatin, duke e mbajtur protestën në një formë më të kontrolluar dhe të shpejtë. Në tubimin e kësaj të shtune, përveç fjalimeve të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të opozitës, ndërsa një mesazh zanor u transmetua edhe nga ish-Presidenti Ilir Meta, i cili ndodhet i burgosur që prej 21 tetorit 2024.
Fjalimi i Berishës u përqendrua kryesisht në sulme ndaj qeverisë dhe një mesazh të fortë për mobilizimin e opozitës para zgjedhjeve të ardhshme. Ai i bëri thirrje mbështetësve të tij që të përgatiten për një fitore të madhe dhe të thellë, duke shtuar se vetëm një ndryshim i thellë mund të sjellë përmirësim për Shqipërinë. Pas përfundimit të fjalimit, Berisha njoftoi se do të nisej menjëherë drejt Romës, ku nesër do të zhvillonte një takim me diasporën shqiptare atje.
Protesta kaloi pa incidente të mëdha, por ka pasur disa tensione. Sipas raportimeve, tre efektivë të Policisë së Shtetit kanë pësuar lëndime pas hedhjes së kapsollave dhe tymueseve nga mbështetësit e opozitës. Nga ata që u lënduan, një efektiv grua ka marrë dëmtime në fytyrë, ndërsa dy kolegët e saj janë dëmtuar në duar.
Zhvillimet e protestës kanë pasuar një rend të shpejtë, me Berishën që u angazhua për të ngritur një front të bashkuar opozitar për të rrëzuar qeverinë e Ramës. Ai e konsideroi “dosjen McGonigal” si një “arkivol të hapur” për kryeministrin, duke nënkuptuar se ai do të përfundojë aty ku është aktualisht McGonigal, i përfshirë në një skandal të madh. Berisha deklaroi se pas zgjedhjeve, do ta “paketojë” Ramën, duke e përjashtuar atë nga skena politike.
Në fjalën e tij, Berisha kujtoi një vit më parë, kur opozita ndodhej në një moment të vështirë, me liderët e saj të arrestuar, por ai theksoi se nga kjo periudhë e errët, PD-ja ishte ngritur përsëri si Feniksi. Ai i bëri thirrje të gjithëve të qëndrojnë të bashkuar, pasi çdo fitore e opozitës deri tani është arritur në kushte jashtëzakonisht të vështira.
Në një moment të veçantë të protestës, aktorja Juli Emiri ngriti një mesazh të fortë për pushtetarët, duke i akuzuar ata për frikën dhe servilizmin që kanë ndaj njëri-tjetrit, ndërsa pyeti nëse ata e dinin se një jetë kanë dhe se vetëm vjedhin.
Nga ana tjetër, deputeti i PD-së, Luan Baçi, theksoi se kjo protestë nuk do të jetë e fundit dhe se opozita do të vazhdojë qëndresën e saj, pavarësisht sfidave që mund të paraqiten gjatë rrugës për në zgjedhje. Ai shtoi se opozita është e vendosur të sjellë ndryshimin e nevojshëm për Shqipërinë dhe të ndërmarrë hapa të mëdha për të siguruar një të ardhme më të drejtë.
Në fund të tubimit, përfaqësuesit e opozitës, përfshirë Agron Dukën dhe Fatmir Mediun, bëri thirrje për bashkim të të gjitha forcave politike dhe qytetarëve që të luftojnë kundër një qeverie që ata e cilësojnë të korruptuar dhe antikombëtare. Duka gjithashtu akuzoi mazhorancën për daljen jashtë ligjit dhe abuzimin me pronat dhe burimet e shtetit.
Në protestë morën pjesë gjithashtu shumë qytetarë dhe mbështetës të tjerë të opozitës, të cilët valëvitur flamuj dhe pankarta me mesazhe kundër qeverisë, ndërsa një pankartë e veçantë e vuri Berishën krah presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në një paralelizëm mes të dyve. Protestuesit e PD-së e shohin këtë si një hap të rëndësishëm për të siguruar një ndryshim të plotë në politikën shqiptare dhe një drejtësi të vërtetë për qytetarët.