Policia merr masa për protestën e PD, kufizime në disa akse rrugore

Partia Demokratike ka njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një proteste sot, nga ora 17:00 deri në 20:00, përpara Kryeministrisë.

Në bazë të ligjit “Për tubimet”, Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për të garantuar rendin publik, sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private.

Në kuadër të këtyre masave, sot do të ketë kufizime të qarkullimit në disa segmente rrugore. Prej orës 10:00 është ndaluar parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin “Nënë Tereza”, rrugën “Ismail Qemali”, si dhe në disa segmente të tjera kryesore pranë qendrës së Tiranës.

Gjithashtu, duke filluar nga ora 14:00 e deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga Ministria e Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia bën me dije se, në varësi të zhvillimeve gjatë protestës, mund të ketë kufizime të tjera në akse të ndryshme të qytetit. Për këtë arsye, është planifikuar devijimi i qarkullimit në rrugë alternative, për të shmangur kaosin dhe vonesat në trafik.

Një apel i veçantë i është drejtuar qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në zonat ku do të ketë kufizime dhe të ndjekin rrugë alternative, për të mos penguar zhvillimin e tubimit dhe për të ruajtur normalitetin e qarkullimit.

Policia e Shtetit siguron se do të monitorojë situatën në terren për të siguruar mbarëvajtjen e protestës dhe për të ndërhyrë në rast të ndonjë incidenti. Ndërkohë, strukturat përkatëse janë të angazhuara për të menaxhuar fluksin e automjeteve dhe për të garantuar një zhvillim të qetë të aktivitetit.

Ndaj Postimin: