Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, njoftoi se rreth 100 mijë shtetas shqiptarë janë regjistruar deri më tani në platformën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Ky lajm u bë i ditur gjatë një takimi me prefektët në qytetin e Gjirokastrës, ku u diskutuan përgatitjet për procesin zgjedhor.
Hoxha theksoi se janë hartuar të gjitha planet e masave dhe se prefektët, në bashkëpunim me bashkitë dhe Policinë e Shtetit, janë të angazhuar për të ngritur infrastrukturën e nevojshme për zgjedhjet. Ai u shpreh: “Aktualisht kemi rreth 100 mijë shtetas shqiptarë të cilët janë regjistruar në platformën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 11 majit.”
Për emigrantët që dëshirojnë të votojnë nga jashtë vendit dhe që u ka skaduar afati i kartës së identitetit apo pasaportës, vlefshmëria e tyre do të shtyhet deri më 31 maj 2025, duke u dhënë mundësinë të jenë pjesë e procesit zgjedhor. Ministri Hoxha apeloi që çdo shtetas shqiptar që jeton jashtë vendit të rinovojë dokumentet e identifikimit, duke pasur të paktën njërin prej tyre të vlefshëm gjatë këtij procesi.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, të drejtën e votës e gëzojnë 3,721,116 shtetas. Ndër ta, 50.5% janë meshkuj dhe 49.5% femra. Aktualisht, numri i përgjithshëm i qendrave të votimit është 5,050. Ministri Hoxha ftoi kryetarët e bashkive të angazhohen për vendimmarrje lidhur me qendrat e votimit që janë jashtë limiteve, me më shumë se 1 mijë ose më pak se 300 zgjedhës.
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore do të përfshijnë dy kategori zgjedhësish: ata që jetojnë brenda vendit dhe ata që jetojnë jashtë tij. Lista paraprake për zgjedhësit jashtë vendit do të jetë publike më 9 mars 2025, dhe çdo shtetas do të ketë në dispozicion 48 orë për të shprehur vullnetin nëse dëshiron të votojë brenda apo jashtë Shqipërisë.
Moment historik
Ky hap përfaqëson një moment historik për demokracinë shqiptare, duke ofruar mundësinë që diaspora të ushtrojë të drejtën e votës, pavarësisht vendndodhjes. Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ka ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar që ky proces të zhvillohet në mënyrë të drejtë, transparente dhe të aksesueshme për qytetarët jashtë kufijve.
Qytetarët janë ftuar të verifikojnë të dhënat personale në listën zgjedhore online, përmes portalit e-Albania, ose fizikisht pranë njësive administrative ku listat janë afishuar. Çdo problematikë apo paqartësi mund të raportohet në platformën e bashkëqeverisjes “Shqipëria që Duam”.
Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe kompania shtetërore e prodhimit të dokumenteve të identitetit “IdentiTek” janë plotësisht të angazhuara për të respektuar të gjitha standardet dhe detyrimet ligjore në përgatitjen e këtij procesi të rëndësishëm për të ardhmen e vendit.
“Vota është arma më e fuqishme e demokracisë,” përfundoi ministri Hoxha, duke theksuar angazhimin për një proces zgjedhor që respekton standardet dhe të drejtat e çdo qytetari.