Plagosje me thikë në Korçë, 29-vjeçari përfundon në spital

Një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar në Korçë, ku një 29-vjeçar është paraqitur në spital me plagë të marra nga një mjet prerës.

Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 2, pranë Liceut të qytetit, një zonë mjaft e frekuentuar.

Sipas të dhënave paraprake, i plagosuri dyshohet se është sulmuar nga dy persona ende të paidentifikuar, të cilët sipas dëshmisë së tij, kishin kapuç në kokë, duke e bërë të pamundur identifikimin e tyre.

I riu është dërguar menjëherë në spitalin e Korçës, ku ndodhet në repartin e reanimacionit. Mjekët konfirmojnë se ai ka marrë plagë në bark dhe në krahë, por kur mbërriti në spital ishte i vetëdijshëm.

Policia ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe ka marrë në shqyrtim kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi sulmi. Pasi bëri njoftimin zyrtar, policia sqaroi se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ky incident vjen vetëm pak orë pas një tjetër plagosjeje të ndodhur në qytet, duke ngritur shqetësime mbi rritjen e rasteve të dhunës. Autoritetet bëjnë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët që mund të kenë informacione mbi ngjarjen.

Hetimet vijojnë për të zbuluar motivet e sulmit dhe për të vënë para drejtësisë përgjegjësit e kësaj ngjarjeje.

Ndaj Postimin: