Barcelona vazhdon të dhurojë spektakël në fushë, duke shënuar 12 gola brenda pak ditësh.
Pas fitores 7-0 në La Liga, katalanasit turpëruan sërish Valencian, këtë herë në Kupën e Mbretit, me një fitore të thellë 5-0. Ky sukses i siguroi ekipit të Hansi Flick një biletë për në gjysmëfinalet e turneut, duke treguar formën e shkëlqyer që po kalon skuadra.
Lojtari i ndeshjes ishte Ferran Torres, i cili realizoi një “tripletë” spektakolare. Sulmuesit spanjoll iu deshën vetëm tre minuta për të gjetur rrugën e rrjetës, ndërsa në minutën e 17-të dyfishoi avantazhin, me VAR që konfirmoi vlefshmërinë e golit. Festa blaugrana vazhdoi në minutën e 23-të, kur Fermin Lopez u shfaq i saktë para portës dhe realizoi golin e tretë pas një aksioni të shkëlqyer.
Barcelona nuk u ndal këtu dhe vazhdoi të shkatërronte Valencian. Në minutën e 30-të, Ferran Torres kompletoi “tripletën” e tij personale me një goditje precize nga jashtë zone, duke e çuar rezultatin në 4-0. Në fraksionin e dytë, katalanasit administruan avantazhin, por arritën të shënonin edhe një herë tjetër me talentin e ri, Lamine Yamal, i cili vulosi shifrat në 5-0.
Pas ndeshjes, trajneri Hansi Flick nuk e fshehu kënaqësinë për paraqitjen fantastike të skuadrës së tij. “Jam shumë i lumtur për ekipin. Krijuam shumë raste dhe treguam urinë për të shënuar sa më shumë gola. Ky është stili i lojës që duam të kemi. Çdo lojtar duhet të japë maksimumin, dhe sot e bëmë një gjë të tillë ndaj Valencias,” deklaroi Flick.
Barcelona po tregon se po kthehet në një makineri golash dhe është një pretendent serioz për trofetë këtë sezon. Fitorja e thellë kundër Valencias konfirmon se skuadra e Flick ka gjetur ritmin e duhur dhe është gati për sfidat e ardhshme në Kupën e Mbretit dhe La Liga.
Ky triumf e vendos Barcelonën në një pozitë të fortë për fazën gjysmëfinale, ndërsa për Valencian, ky ishte një tjetër makth i pashmangshëm përballë një ekipi që po rikthehet në nivelet më të larta.