Procedurat për licencimin dhe paketimin e kanabisit mjekësor hyjnë në fuqi

Këtë vit, vendi pritet të hapë aplikimet për licencën e operatorëve që do të lejohen të kultivojnë dhe përpunojnë kanabisin për qëllime mjekësore.

Kjo iniciativë ka pasur mbështetje nga ministritë përkatëse, të cilat kanë miratuar procedurat për pagesën e tarifave dhe për rregullimin e kontrollit dhe paketimit të produkteve të kanabisit.

Në Fletoren Zyrtare është botuar udhëzimi i Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, që përcakton procedurat për pagesën e tarifës së licencimit. Sipas udhëzimit, tarifa për licencimin e operatorëve do të jetë 100,000 lekë dhe është e pakthyeshme. Pagesa do të kryhet nga subjekti që kërkon licencën, duke u bazuar në faturën e miratuar nga Ministria e Financave për arkëtim.

Subjektet që aplikojnë për licencim mund të shkarkojnë faturën për arkëtim nga faqja zyrtare e Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it. Pas kësaj, fatura duhet të dorëzohet në një bankë të nivelit të dytë, e cila do të pranoni vetëm arkëtimet që janë përmbushur sipas modelit të përcaktuar. Dokumenti i lëshuar nga banka, që vërteton kryerjen e pagesës, duhet të dorëzohet pranë Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it së bashku me dokumentacionin e nevojshëm për aplikim.

Të ardhurat nga kjo tarifë do të arkëtohen në llogarinë e Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre, 70%, do të kalojë në buxhetin e shtetit, ndërsa 30% do të mbesin për Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave.

Përveç tarifës fillestare, ligji parashikon një tarifë vjetore që operatorët duhet të paguajnë pas vitit të tretë të operimit. Kjo tarifë do të jetë 1.5% e të ardhurave vjetore të operatorëve, por nuk mund të jetë më e vogël se 10,000,000 lekë.

Sipas udhëzimeve të tjera të botuara në Fletoren Zyrtare, është përcaktuar gjithashtu mënyra e kontrollit të produkteve të kanabisit, si dhe kriteret për paketimin e tyre. Metodat e kontrollit do të fokusohen në sigurinë e transportit dhe ruajtjen e cilësisë së produkteve, me qëllim që të sigurohet mbrojtja e konsumatorit. Etiketa e çdo produkti duhet të përmbajë informacion të qartë dhe të saktë, për të shmangur keqinformimin.

Operatorët që merren me kultivimin dhe përpunimin e kanabisit mjekësor do të duhet të respektojnë rregullat dhe udhëzimet e vendosura, për të siguruar që procesi të jetë në përputhje me standardet e përcaktuara nga autoritetet përkatëse. Kjo do të ndihmojë në krijimin e një tregu të qëndrueshëm dhe të kontrolluar për kanabisin mjekësor në Shqipëri.

Ndaj Postimin: