Shtëpia e Bardhë zbulon detaje mbi planin e Trump për Gazën: Zhvendosja e palestinezëve do të jetë e përkohshme

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka zbuluar detaje të reja mbi propozimin e tij për të marrë nën kontroll Rripin e Gazës dhe për ta zhvilluar këtë territor të shkatërruar nga lufta.

Trump theksoi se për realizimin e këtij plani nuk do të duhen trupa amerikane, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se zhvendosja e palestinezëve do të jetë e përkohshme.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Presidenti Trump njoftoi se Rripi i Gazës do t’i dorëzohet Shteteve të Bashkuara nga Izraeli pas përfundimit të luftimeve, dhe palestinezët do të vendosen në “komunitete shumë më të sigurta dhe më të bukura, me shtëpi të reja dhe moderne” në rajon. Shtëpia e Bardhë ka theksuar se ky është një proces që do të realizohet me ndihmën e ekipeve ndërkombëtare të ndërtimit dhe se do të bëhet gradualmente.

Kjo nismë ka ngritur shqetësime dhe kundërshtime nga shumë shtete dhe organizata ndërkombëtare. Kombeve të Bashkuara dhe shumë liderë botërorë kanë paralajmëruar kundër çdo forme të spastrimit etnik, duke e cilësuar këtë propozim si një hap të rrezikshëm. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka theksuar se është thelbësore të veprohet sipas ligjit ndërkombëtar dhe të shmanget çdo tentativë për të detyruar palestinezët të lënë tokat e tyre.

Propozimi i Trump është kundërshtuar edhe nga shtete të rajonit, si Jordania dhe Egjipti, të cilat janë shprehur kundër ideve të tilla për zhvendosjen e palestinezëve në vendet e tyre. Mbreti Abdullah i Jordanisë dhe presidenti palestinez Mahmoud Abbas kanë bërë thirrje për një zgjidhje që përfshin krijimin e dy shteteve, një plan që mbështetet nga shumica e shteteve arabe dhe të tjera.

Arabia Saudite, përmes deklaratave publike, ka mbajtur një qëndrim të palëkundur në mbështetje të një shteti palestinez të pavarur. Kjo është një përgjigje direkte ndaj deklaratave të Trump, që kishte sugjeruar se Riyadi mund të mbështeste një plan që përfshin njohjen e Izraelit në këmbim të një marrëveshjeje të mundshme për sigurinë dhe energjinë.

Në këtë klimë tensioni, Shtëpia e Bardhë ka qartësuar se propozimi i Trump nuk përfshin praninë e forcave amerikane në Gaza dhe se ky plan do të realizohet në bashkëpunim me liderët rajonalë. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka theksuar se nuk do të ketë financim të drejtpërdrejtë nga taksapaguesit amerikanë për këtë plan dhe se Trump do të punojë për të arritur marrëveshje me partnerët ndërkombëtarë.

Njëkohësisht, protesta janë zhvilluar në disa qytete amerikane kundër qëndrimit të Trump mbi Gazën dhe politikave të tij të jashtme. Protestuesit kanë kërkuar që të mos realizohet asnjë plan që mund të çojë në zhvendosjen e palestinezëve dhe kanë theksuar nevojën për një zgjidhje të drejtë dhe paqësore të çështjes palestineze.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin: