Shqiptari i kërkuar për trafik droge arrestohet në Gjermani

Një 25-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet belge për trafik droge dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale, është arrestuar në Gjermani nga Policia Federale.

I riu u ndalua mbrëmjen e së shtunës gjatë kontrolleve kufitare në autostradën A6, ndërsa po hynte në territorin gjerman. Pas verifikimeve, oficerët e policisë zbuluan se ai posedonte një leje qëndrimi gjermane të skaduar dhe ishte në listën e personave të kërkuar me urdhër-arrest evropian nga Belgjika.

Menjëherë pas arrestimit, 25-vjeçari u shoqërua para një gjykatësi hetues, ku iu komunikua masa e sigurisë. Më pas, ai u transferua në institucionin korrektues të Nurembergut, ku do të mbahet deri në përfundimin e procedurave ligjore.

Sipas njoftimeve të policisë, autoritetet belge e akuzojnë të dyshuarin për përfshirje në një rrjet kriminal të trafikut të drogës, aktivitet për të cilin ishte shpallur në kërkim prej kohësh.

Policia Federale e Gjermanisë konfirmoi se arrestimi u krye në kuadër të bashkëpunimit me partnerët evropianë të sigurisë, duke ndjekur një urdhër-arrest të lëshuar nga drejtësia belge.

I arrestuari pritet të ekstradohet në Belgjikë në ditët në vijim, ku do të përballet me akuzat për përfshirje në trafikun e lëndëve narkotike dhe anëtarësim në një organizatë kriminale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera