Kulla Grenfell në Londër, ku humbën jetën 72 persona pas një zjarri shkatërrues shtatë vjet më parë, do të shembet, njoftuan sot familjet e viktimave dhe të mbijetuarit.
Vendimi është bërë i ditur nga autoritetet britanike pas shqetësimeve mbi qëndrueshmërinë strukturore të ndërtesës.
Tragjedia ndodhi më 14 qershor 2017, kur një zjarr i fuqishëm përfshiu ndërtesën 23-katëshe të banesave sociale, duke u kthyer në fatkeqësinë më vdekjeprurëse të banesave në Britani që nga Lufta e Dytë Botërore. Autoritetet thanë se ndërtesa, e dëmtuar rëndë nga zjarri, me kalimin e kohës është bërë gjithnjë e më e rrezikshme dhe nuk mund të qëndrojë më në këmbë.
Zëvendëskryeministrja britanike Angela Rayner njoftoi vendimin gjatë një takimi me familjet dhe të mbijetuarit. Sipas organizatës Grenfell Next of Kin (GNK), prishja do të nisë pas përvjetorit të tetë të tragjedisë këtë qershor, ndërsa inxhinierët kanë paralajmëruar se struktura mund të përkeqësohet më tej, duke përbërë rrezik për zonën përreth.
Megjithatë, ky vendim nuk është pritur mirë nga të gjithë. Organizata Grenfell United, e cila përfaqëson familjet e viktimave dhe të mbijetuarve, e kritikoi ashpër procesin, duke thënë se konsultimi katër-javor me autoritetet ishte i pamjaftueshëm. “Injorimi i zërave të atyre që vajtojnë të dashurit e tyre është i turpshëm dhe i pafalshëm,” thuhet në reagimin e tyre.
Ndërkohë, deputeti i zonës së Kensingtonit, ku ndodhet kulla, e konfirmoi vendimin, duke deklaruar se ai nuk është marrë lehtë dhe se komuniteti do ta kujtojë përgjithmonë tragjedinë e Grenfell-it.
Një hetim publik mbi ngjarjen, raporti përfundimtar i të cilit u publikua vitin e kaluar, fajësoi qeverinë britanike, industrinë e ndërtimit dhe kompanitë që kishin instaluar veshjen e jashtme të ndërtesës me materiale të ndezshme. Këto gjetje kanë ngjallur zemërim tek të mbijetuarit dhe familjet e viktimave, të cilët kërkojnë që të ketë ndjekje penale për përgjegjësit.
Pavarësisht vendimit për shembjen e kullës, autoritetet britanike kanë premtuar që vendi ku ndodhej ndërtesa të shndërrohet në një memorial për viktimat. Një komitet i posaçëm ka propozuar që prishja të bëhet “me kujdes dhe respekt”, ndërsa projekti përfundimtar për monumentin pritet të prezantohet në pranverën e vitit 2026.