Zbulimi i një vile antike romake në Durrës ka pezulluar planet për rindërtimin e shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”, e cila u shemb pas tërmetit të vitit 2019.
Ndërsa autoritetet ende nuk kanë vendosur për të ardhmen e këtij siti arkeologjik, reshjet e fundit kanë shkaktuar përmbytje në disa nga kuadratet e gërmimit, duke rritur shqetësimet për ruajtjen e mozaikëve dhe strukturave të zbuluara.
Për të mbrojtur gjetjet, ekipet e arkeologëve kanë përqendruar përpjekjet në kanalizimin e ujërave dhe mbrojtjen e sipërfaqeve të ekspozuara. Mozaikët dhe afresket e zbuluara gjatë verës së kaluar mbeten objekt i kujdesit të veçantë, ndërsa reshjet e shumta kanë përkeqësuar situatën në disa zona të gërmuara.
Megjithëse një raport profesional mbi gërmimet është dorëzuar para gjashtë muajsh, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (KKTK) ende nuk ka marrë një vendim për fatin e këtij siti. Opsionet mbeten të hapura mes ruajtjes dhe konservimit të plotë të zbulimeve apo ndërtimit të shkollës në një pjesë të territorit.
Ndërtimi i shkollës “Gjergj Kastrioti” ishte planifikuar të realizohej me financim nga Bashkimi Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD), me një fond prej 237 milionë lekësh. Sipas planit fillestar, punimet duhej të kishin përfunduar në vitin 2023, por gërmimet arkeologjike e kanë shtyrë projektin për një kohë të pacaktuar. Aktualisht, nxënësit dhe mësuesit vazhdojnë mësimin në godina alternative.
Ish-nxënësi i kësaj shkolle, Fatmir Tila, kujton se ndërtesa, e ndërtuar në vitin 1968, ishte pjesë e historisë së qytetit. “Unë e kam kryer gjithë ciklin mësimor në godinën e vjetër, ndërsa vajza ime u diplomua në të njëjtën shkollë, por nuk pati mundësinë ta shihte ndërtesën origjinale,” shprehet ai.
Vila romake, e zbuluar në një hapësirë prej 1.200 metrash katrorë, përmban struktura të rëndësishme si terme, mozaikë dhe afreske të ruajtura në gjendje të mirë. Po ashtu, janë gjetur rreth 300 monedha të periudhave të ndryshme, të cilat hedhin dritë mbi jetën ekonomike të Durrësit në kohët antike. Arkeologët besojnë se kompleksi mund të shtrihet deri në 2.500 metra katrorë.
Duke qenë se vila ndodhet vetëm 300 metra nga amfiteatri antik, specialistët sugjerojnë që zbulimi të integrohet në një itinerar turistik që nis nga amfiteatri dhe përfundon në zonën bregdetare. Ndërkohë, institucionet kulturore ende nuk kanë marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e sitit, duke lënë pezull fatin e një prej shkollave më të rëndësishme të qytetit.