Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj kritikave për gjuhën e tij kundër opozitës, duke theksuar se nuk po përdor fyerje apo akuza të rënda ndaj askujt, por vetëm terminologji të frymëzuar nga figurat e mëdha të letrave shqipe si Fan Noli, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta.
Në një koment në rrjetet sociale, Rama iu përgjigj një qytetari që e kritikoi për përdorimin e termave si “kënetë” për opozitën dhe “buf i stërplakur” për kreun e PD-së. Ai mohoi se po bënte etiketime me prapavijë kriminale dhe tha se kritikat ndaj tij shpesh shkojnë përtej etikës njerëzore.
“Nuk po i them askujt hajdut e drogaxhi, sepse kjo është të dalësh nga shinat njerëzore,” u shpreh Rama, duke shtuar se gjuha e tij synon të përshkruajë realitetin politik dhe jo të përhapë akuza të pabaza.
Kryeministri akuzoi kundërshtarët e tij për një diskurs të mbushur me baltë dhe përpjekje për të ndotur hapësirën publike me, siç tha ai, “kua-kua-kua”, duke iu referuar në mënyrë ironike debatit politik.
Në reagimin e tij, Rama nuk kurseu as opozitën, të cilën vijon ta cilësojë si një “kënetë” që, sipas tij, pengon zhvillimin dhe debatin e shëndetshëm politik në vend.
Gjuhës së përdorur prej tij i është kundërvënë shpesh jo vetëm opozita, por edhe shoqëria civile dhe analistë të ndryshëm, të cilët e kanë kritikuar për tonin e ashpër dhe përshkrimet e tij metaforike.
Megjithatë, kryeministri ka vijuar të mbrojë stilin e tij të komunikimit, duke argumentuar se është një mënyrë për të demaskuar, sipas tij, sjelljen destruktive të kundërshtarëve politikë.