Monika Kryemadhi deklaratë për mediat pas dëshmisë në GJKKO: Prokurorët mashtruan.

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, foli sërish pas daljes nga GJKKO lidhur me akuzat ndaj saj dhe ish-bashkëshortit të saj, Ilir Meta.

Ajo kritikoi prokurorët dhe e përshkroi sistemin e drejtësisë si të inkriminuar.

Kryemadhi ndau shqetësimet e saj për situatën, duke thënë se ishte provokuar nga drejtësia, pasi ajo dhe ish-bashkëshorti i saj u vendosën në të njëjtën sallë gjyqi, pavarësisht se janë të ndarë. “Sot kam kuptuar që veglat njëpërdorimëshe të Edi Ramës dhe të grupit të strukturuar kriminal, që nga inceneratorët e deri te koncesionet, i pamë me togat e zeza,” tha Kryemadhi.

Kryemadhi komentoi lidhjet me politikanët në skenën politike shqiptare.

“Te ajo shtëpi ka hyrë edhe Edi Rama, edhe Sali Berisha, edhe Basha edhe Veliaj. Te ajo shtëpi ka hyrë edhe Sokol Olldashi. Në shtëpinë time ka hyrë çdo gjë, cdo njeri, kanë ngrenë bukë kanë pirë dhe kafe, kanë hyrë dhe biznesmenë, pse ca jam unë njeri pa njeri.”

Ajo shprehu zhgënjimin e saj për sistemin e drejtësisë, duke theksuar se ky sistem është i kapur dhe nuk ka më shpresë për drejtësi të pavarur. Ajo e quajti një provokim të hapur faktin që ajo dhe Meta ndodheshin në të njëjtën sallë, ndërsa seancat duhet të ishin individuale. “Asnjë nga ne nuk është akuzuar, por jemi vetëm të dyshuar,” shtoi ajo.

Kryemadhi gjithashtu përmendi se beson se drejtësia po përpiqet të largojë vëmendjen nga çështjet më të rëndësishme duke organizuar një “show” politik dhe mediatik. “Më vjen keq që emocionet e tyre nuk i kënaqim dot,” tha ajo me ironi.

Duke iu referuar prokurorëve, ajo shprehu dyshime për integritetin e tyre, duke thënë se “ata nuk flasin dot pa lejen e Ramës,” dhe përmendi lidhjet familjare të disa prej tyre me politikën.

Kur u pyet për përplasjet në sallën e gjyqit, Kryemadhi tha se Ilir Meta nuk i kishte kërcënuar prokurorët, por i kishte trajtuar me qetësi. Ajo shtoi se nuk ka besim në SPAK dhe në sistemin e drejtësisë të cilin e cilësoi të kontrolluar nga individë të caktuar.

Në lidhje me akuzat për korrupsion me biznesmenin Adrian Shatku, Kryemadhi tha se ai është kushëriri i saj dhe një biznesmen i suksesshëm. Ajo sqaroi se marrëdhëniet mes Ilir Metës dhe Shatkut nuk kanë qenë asnjëherë të mira dhe se Meta nuk ka pasur raporte të afërta me njerëzit e saj.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera