Kabineti i Netanyahut i befasuar nga plani i Trump për Gazën

Propozimi i presidentit amerikan Donald Trump për zgjidhjen e situatës në Gazë ka ardhur si një surprizë për kabinetin izraelit, i cili nuk ishte informuar paraprakisht për përmasat e këtij plani.

Një këshilltar i lartë i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar për “Times of Israel” se megjithëse ideja ishte e njohur, detajet dhe shkalla e saj ishin të papritura.

“Ne e dinim idenë, por ajo që na befasoi ishte shkalla e këtij propozimi,” tha zyrtari izraelit, duke lënë të kuptohet se detajet e planit të Trump shkuan përtej asaj që ishte pritur.

Ndërkohë, një burim politik nga qeveria izraelite i tha Reuters se vizita e Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë ishte jashtëzakonisht e suksesshme dhe kishte tejkaluar të gjitha pritshmëritë. “Ishte më shumë sesa mund të kishim shpresuar,” u shpreh ai.

Marrëdhënia mes Donald Trump dhe Benjamin Netanyahut është më e fortë se kurrë, sipas të njëjtit burim, i cili vlerësoi presidentin amerikan për “zgjidhje shpikëse” që, sipas tij, mund të adresojnë problemet historike të Izraelit.

Propozimi i Trump, i bërë publik pas takimit të tij me Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë, sugjeron që popullsia palestineze e Gazës të shpërngulet dhe të akomodohet në gjashtë vende arabe fqinje, me Egjiptin dhe Jordaninë si destinacionet kryesore.

Sipas presidentit amerikan, Rripi i Gazës mund të rindërtohet nga ushtria amerikane me synimin për t’u shndërruar në një destinacion turistik. Kjo ide ka shkaktuar reagime të forta në nivel ndërkombëtar, duke nxitur debat mbi mundësinë e realizimit të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin: