Greqia në alarm për aktivitetin sizmik: Mbi 6,400 tërmete gjatë dy javëve të fundit, ekspertët paralajmërojnë për goditje të fuqishme

Greqia është në një situatë alarmante pas një aktiviteti sizmik intensiv që ka përfshirë zonën e Santorinit dhe Amorgos në periudhën mes 26 janarit dhe 3 shkurtit.

Sipas një deklarate të Komitetit Ndërdisiplinor për Menaxhimin e Rrezikut dhe Krizave të Universitetit Kombëtar të Athinës, mbi 6,400 lëkundje sizmike janë regjistruar gjatë kësaj periudhe.

Tërmetet kanë qenë shumë të shpeshta, me mbi 1300 tërmete të regjistruar më 2 shkurt dhe mbi 1400 më 3 shkurt. Sipas ekspertëve, aktiviteti sizmik ka karakteristika që mund të quhen si një “tufë tërmetesh”, pasi deri tani nuk është regjistruar ndonjë tërmet me magnitudë shumë më të madhe që mund të quhej tërmeti kryesor. Megjithatë, shkalla e sizmicitetit ka vijuar të rritet, dhe sekuencat e pasgoditjeve janë karakterizuar nga një shpërndarje kohore me intensitet të ulët, megjithatë magnituda e këtyre pasgoditjeve është zakonisht më e vogël se 0.5.

Ekspertët paralajmërojnë se aktiviteti sizmik mund të vazhdojë, por me magnitudë më të vogël dhe një numër më të ulët të tërmeteve, që mund të zgjasë për muaj të tërë, ashtu siç ka ndodhur në raste të ngjashme si ai i Tebës. Megjithatë, një tjetër mundësi është që ky aktivitet të stimulojë shkëputjen e një pjese të konsiderueshme të një çarje të madhe aktive në rajon, e cila mund të shkaktojë një tërmet kryesor dhe pasgoditje të tjera pas tij.

Për momentin, shkencëtarët nuk raportojnë ndonjë rrezik të menjëhershëm për shpërthim vullkanik, ndonëse aktiviteti sizmik po ndodh brenda harkut vullkanik të Egjeut Jugor. Megjithatë, shpeshtësia dhe intensiteti i lëkundjeve sizmike kanë shqetësuar autoritetet dhe ekspertët, të cilët po monitorojnë situatën dhe po përgatiten për çdo mundësi të ardhshme.

Për momentin, nuk është ende e qartë nëse do të ndodhi një tërmet kryesor, por ekspertët janë të shqetësuar për mundësinë që ky aktivitet sizmik të shkaktojë një goditje të fuqishme në të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin: