Rama për Reformën në Drejtësi: Një arritje e PS, por edhe ne kemi “Derrat” tanë

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar Reformën në Drejtësi si një sukses të Partisë Socialiste, duke theksuar se ajo u bë e mundur vetëm falë vullnetit të kësaj force politike.

Në një komunikim live me qytetarët, Rama deklaroi se PS është e vetmja parti që po lufton për të ndërtuar një shtet të fortë dhe me drejtësi të pavarur.

“Kemi dëgjuar shpesh debate mbi arrestimet e fundit, por duhet të jetë e qartë se pa Partinë Socialiste dhe pa vendosmërinë tonë, nuk do të kishim një drejtësi të lirë nga ndikimi politik. Asnjëherë më parë një person i lidhur me pushtetin nuk është vënë përballë një gjyqësori të pavarur,” tha Rama.

Duke përmendur rastin e ish-kryeministrit Fatos Nano, ai theksoi se dënimi i tij u dha nga një gjykatë politike, ndërsa sot drejtësia funksionon ndryshe. “Drejtësia e pavarur është një arritje historike dhe kjo nuk mund të vihet në diskutim. Shqipëria ka vetëm një forcë politike që po lufton për të bërë shtet,” shtoi ai.

Megjithatë, kreu i qeverisë pranoi se edhe brenda PS ka individë që nuk ndjekin rrugën e duhur. “Si çdo pyll që ka derrat e vet, edhe ne kemi individë që i përkasin më shumë drejtësisë sesa rrugës sonë politike,” tha Rama, duke nënvizuar se korrupsioni sot është më i ulët se më parë, çka sipas tij dëshmohet nga progresi i vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në lidhje me emigrimin e shqiptarëve, Rama e cilësoi këtë një fenomen global, duke theksuar se nuk është një dukuri e nisur nën qeverisjen e tij. “Trendi i largimit nuk e ka zanafillën te ne dhe nuk ka arritur ende pikën ku kthesa të jetë e dukshme. Përvoja e vendeve të tjera tregon se ndryshimi i vërtetë ndodh kur vendi anëtarësohet në BE dhe balancohet me shtetet e tjera europiane,” tha ai.

Kryeministri argumentoi se shqiptarët, pas 50 vitesh izolim, kanë një dëshirë të natyrshme për të kërkuar mundësi më të mira jashtë vendit. “Ne jemi më të justifikuarit për të kërkuar fatin tonë gjetkë, por nuk duhet harruar se ka edhe shqiptarë që po rikthehen,” përfundoi Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera