Chelsea ka arritur një fitore të rëndësishme në derbin e Londrës përballë West Ham. Me një rezultat 2-1 në “Stamford Bridge”, ekipi i londinezëve ka marrë tre pikë të vlefshme, duke parakaluar Manchester City-n në renditjen e Premier League.
Ndeshja nisi mjaft mirë për West Ham, që kaloi në avantazh në minutën e 42-të. Bowen përfitoi nga një gabim i mbrojtjes së Chelsea-t, kaloi portierin dhe shënoi për 1-0. Megjithatë, Chelsea nuk e priti shumë gjatë këtë goditje dhe, me fillimin e pjesës së dytë, drejtuesi i skuadrës, Maresca, bëri disa ndryshime taktike për të ndryshuar rrjedhën e lojës.
Në minutën e 64-t, Chelsea arriti të barazonte shifrat me një gol të Neton, i cili shfrytëzoi një mundësi të shkëlqyer brenda zonës pas një goditje të fortë që nuk u ndal nga mbrojtësit e West Ham. Ekipi londinez nuk u mjaftua me kaq dhe 10 minuta më vonë, një tentativë e Palmer për të dërguar një kros në zonë çoi në një autogol të Wan-Bissaka-s, duke i dhuruar Chelsea-t një avantazh 2-1.
Pavarësisht përpjekjeve të West Ham për të rikthyer barazimin, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund. Chelsea e mbylli ndeshjen me një fitore 2-1 dhe festoi këtë triumf të rëndësishëm. Me këtë fitore, Chelsea ka grumbulluar 43 pikë pas 21 javësh, duke u renditur në vendin e katërt dhe ka kaluar Man.City-n me dy pikë më shumë.