Presidenti i përkohshëm i Sirisë viziton Turqinë, në fokus rimëkëmbja dhe siguria

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmad al-Sarrah, do të vizitojë nesër Ankaranë, në kuadër të një turi diplomatik që ka nisur pas marrjes së detyrës.

Kjo do të jetë vizita e tij e dytë jashtë vendit, pas Arabisë Saudite, dhe vjen me ftesë të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Sipas njoftimit të presidencës turke, gjatë takimit në pallatin presidencial do të diskutohen masat e përbashkëta për rimëkëmbjen ekonomike të Sirisë, si dhe për sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Turqia, e cila ndan një kufi prej 910 kilometrash me Sirinë, ka qenë një aktor kyç në zhvillimet e fundit në vendin e shkatërruar nga lufta.

Ankaraja ka strehuar rreth tre milionë refugjatë sirianë dhe ka lehtësuar kthimin e mbi 80,000 prej tyre pas rënies së regjimit të Bashar al-Asad. Turqia ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në rindërtimin e Sirisë dhe kërkon bashkëpunim me autoritetet e reja në Damask, veçanërisht për çështjen e forcave kurde në verilindje të vendit.

Në një deklaratë të bërë nga Riadi një ditë më parë, Ahmad al-Sarrah vlerësoi “vullnetin e vërtetë” të Arabisë Saudite për të ndihmuar në rindërtimin e Sirisë dhe për të krijuar një “partneritet të fortë” mes dy vendeve. Ai theksoi se gjatë takimit me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman, janë diskutuar projekte madhore në fushat e energjisë, teknologjisë, arsimit dhe shëndetësisë.

Me një ekonomi të dobësuar nga 14 vite lufte dhe sanksione ndërkombëtare, Siria po mbështetet tek vendet e pasura të Gjirit për të siguruar financime dhe për të rikthyer stabilitetin ekonomik. Vizita e al-Sarrah në Arabinë Saudite është parë si një hap i rëndësishëm drejt afrimit me vendet arabe dhe diversifikimit të aleancave të Damaskut.

Ky zhvillim gjithashtu sinjalizon një distancim të qeverisë së re siriane nga Irani, duke reduktuar ndikimin e Teheranit në rajon dhe duke forcuar lidhjet e Sirisë me partnerët arabë.

Takimi i nesërm në Ankara pritet të japë një drejtim më të qartë për rolin që Turqia do të luajë në këtë fazë të re të zhvillimeve në Siri, duke balancuar interesat e saj strategjike në rajon me angazhimin për stabilitetin e vendit fqinj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera