Dhimbja e kokës është një nga shqetësimet më të zakonshme që ndikon në përditshmërinë e shumë njerëzve, duke ulur përqendrimin dhe energjinë.
Shpesh, zgjidhja e parë për ta luftuar është marrja e medikamenteve si paracetamoli. Megjithatë, për disa persona, një filxhan kafe mund të jetë po aq efektiv në lehtësimin e dhimbjes.
Kafeina, përbërësi kryesor aktiv në kafe, ka treguar aftësi për të ndihmuar në reduktimin e dhimbjeve të kokës. Ekspertët shpjegojnë se dhimbja shpesh shkaktohet nga çlirimi i një substance të quajtur adenosinë, e cila ndikon në inflamacionin e enëve të gjakut. Kafeina vepron duke bllokuar adenosinën dhe duke ngushtuar enët e gjakut, çka çon në reduktimin e dhimbjes.
Një tjetër teori sugjeron se kafeina ndihmon në përthithjen më të shpejtë të medikamenteve kundër dhimbjeve, ndaj shumë ilaçe përmbajnë një sasi të vogël të kësaj substance për të përmirësuar efektivitetin e tyre.
Megjithatë, jo të gjitha dhimbjet e kokës reagojnë njësoj ndaj kafeinës. Dhimbjet që lidhen me sinozitin, alergjitë ose të ftohurën mund të mos lehtësohen me një filxhan kafe, ndërsa disa studime sugjerojnë se kafeina mund të ndihmojë edhe në rastin e migrenës.
Pavarësisht efekteve pozitive, konsumimi i tepërt i kafeinës nuk është pa pasoja. Një konsum i lartë i kafesë mund të krijojë varësi dhe të çojë në simptoma të pakëndshme nëse ndalohet papritur. Këto përfshijnë dhimbje koke, lodhje, acarim, ankth dhe madje edhe të përziera.
Personat që konsumojnë më shumë se pesë filxhanë kafe në ditë për një kohë të gjatë rrezikojnë të zhvillojnë një varësi nga kafeina, e cila më pas bëhet e vështirë për t’u lënë. Prandaj, rekomandohet që konsumimi të jetë i moderuar për të përfituar nga efektet e saj pa krijuar një varësi të padëshiruar.
Për ata që duan një alternativë më të shëndetshme, burime të tjera natyrale të kafeinës janë çokollata, çaji dhe kakaoja, të cilat ofrojnë një dozë të moderuar të kësaj substance pa e mbingarkuar organizmin.