Derbi i Milanos: Spektakël, polemika dhe shtyllat që ndëshkuan Interin

Një derbi që i pati të gjitha: gola, shtylla, VAR dhe polemika. Milan-Inter dhuroi një përballje dramatike, e cila në fund u mbyll me barazimin 1-1, një rezultat që nuk kënaqi asnjërin prej dy rivalëve të qytetit.

Për Interin, kjo ishte një mundësi e humbur për të ngushtuar diferencën me Napolin, ndërsa Milani vijon të largohet gjithnjë e më shumë nga zona Champions. Skuadra e Simone Inzaghit dominoi pjesën më të madhe të takimit, por u ndal nga fati i keq dhe nga shtyllat që u bënë pengesë e madhe për zikaltërit.

Milani u shfaq i përmbajtur në këtë derbi, duke u mbrojtur me kujdes dhe duke pritur momentin e duhur për të goditur. Ky moment erdhi në fundin e pjesës së parë, kur një aksion individual i Rafael Leaos në krah krijoi hapësirën për një top të mbetur në zonë. Reijnders e shfrytëzoi në maksimum këtë mundësi dhe me një goditje të fortë e dërgoi topin në rrjetë, duke ndezur festën në “San Siro”.

Pjesa e dytë pa një Inter tërësisht ofensiv, duke e vendosur Milanin nën një presion të vazhdueshëm. Lautaro Martinez pati një mundësi të artë, por u ndal nga një pritje fantastike e Maignan. Disa minuta më vonë, argjentinasi e dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua për faull në sulm. Inter nuk u dorëzua dhe vazhdoi të sulmonte me intensitet. Në minutën e 67-të, Bisseck goditi me kokë pas një goditje këndi, por topi u përplas në shtyllën pingule, duke e shtuar edhe më shumë ankthin për skuadrën e Inzaghit.

Shtyllat nuk i dhanë qetësi Interit, pasi pak më vonë ishte radha e Thuram për të provuar fatin me një goditje brenda zonës, por përsëri e njëjta skenë: topi u përplas në shtyllë dhe nuk e kaloi vijën fatale. Në minutën e 90-të, zikaltërit u shokuan sërish, kur Dumfries goditi me kokë dhe për të tretën herë topi u ndal në të njëjtën shtyllë, duke bërë që frustrimi të rritet në kampin e Interit.

Pikërisht atëherë kur gjithçka po shkonte drejt fundit dhe Milani po e ruante me fanatizëm avantazhin, në minutën e 83-të erdhi momenti shpëtimtar për Interin. Zalewski uli me gjoks një top në zonë për De Vrij, i cili nuk fali dhe dërgoi topin në rrjetë, duke rikthyer shpresën për skuadrën e Inzaghit. Ky gol u prit me festë nga lojtarët dhe tifozët zikaltër, pasi një humbje tjetër në derbi do të ishte një goditje e rëndë për moralin e ekipit.

Kristjan Asllani, mesfushori shqiptar i Interit, nuk u preferua në këtë ndeshje, duke e ndjekur spektaklin vetëm nga stoli. Një derbi dramatik që la të dyja skuadrat me ndjenja të përziera: Interi dominoi, por nuk arriti ta fitonte, ndërsa Milani u mbrojt me mish e me shpirt, por në fund u detyrua të kënaqej me vetëm një pikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera