Tragjedia në Qendrën e Skive në Turqi: Kush është fajtori për dhjetëra viktima?

Zjarri shkatërrimtar në një hotel dymbëdhjetëkatësh në një qendër skijimi në Turqi ka lënë të paktën 76 viktima dhe më shumë se 50 të plagosur.

Ngjarja tragjike ka nxitur debat të ashpër mes qeverisë dhe opozitës, ndërsa autoritetet dhe dëshmitarët raportojnë për një sërë neglizhencash dhe mangësish në masat e sigurisë.

Sipas dëshmitarëve, sistemi i alarmit kundër zjarrit nuk ka funksionuar dhe hoteli nuk ishte pajisur me bombola ose sistem spërkatës me ujë, pavarësisht se këto pajisje janë të detyrueshme nga rregulloret turke. Klientët u detyruan të kërkojnë rrugë shpëtimi në errësirë dhe nëpër korridore të mbushura me tym, ndërsa disa prej tyre u hodhën nga dritaret në panik për të shpëtuar.

Zjarrfikësve iu deshën rreth 40 minuta për të mbërritur nga qyteti Bolu, që ndodhet 40 kilometra larg hotelit. Ky vonesë ka ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e emergjencave në rajon, duke përkeqësuar situatën dhe duke shtuar numrin e viktimave.

Partia opozitare CHP ka akuzuar qeverinë për zbutjen e rregulloreve të sigurisë në vitin 2012, duke e bërë më të lehtë për hotelet të shmangin standardet e nevojshme për mbrojtjen ndaj zjarrit. Ministria e Turizmit ka pranuar se hoteli nuk përmbushte kërkesat bazë për sistemet e sigurisë ndaj zjarrit, por gjithashtu ka fajësuar Drejtorinë Rajonale të Zjarrfikësve për mungesën e inspektimeve të rregullta.

Ngjarja ka nxitur reagime edhe nga autoritetet qendrore. Presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka deklaruar se përgjegjësit do të dalin para drejtësisë. Deri tani janë arrestuar nëntë persona, përfshirë pronarin e hotelit, ndërsa hetimet vazhdojnë për të identifikuar shkaktarët e plotë të tragjedisë.

Ekipet e Mbrojtjes Civile dhe zjarrfikësit kanë vazhduar kërkimet në ndërtesën e dëmtuar, duke kontrolluar për viktima të mundshme apo të plagosur. Për shkak se hoteli ishte kryesisht i ndërtuar prej druri, rreziku i shembjes mbetet i lartë. Çatia e ndërtesës është shkatërruar pothuajse plotësisht, ndërsa palestra në katin e poshtëm është djegur tërësisht.

Ngjarja tragjike ka hapur një debat të gjerë mbi përgjegjësinë dhe neglizhencën institucionale. Pyetja që ngrihet është: a është kjo një pasojë e zbutjes së rregullave nga autoritetet apo e mungesës së reagimit në kohë nga zjarrfikësit? Ndërkohë, qytetarët dhe organizatat kërkojnë një rishikim të menjëhershëm të standardeve të sigurisë dhe ndjekje penale për të gjithë ata që janë përfshirë në këtë katastrofë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera