Por cili ishte qëndrimi i Partisë së Lirisë në lidhje me arrestimin e kryetarit të tyre Ilir Meta?

Por cili ishte qëndrimi i Partisë së Lirisë në lidhje me arrestimin e kryetarit të tyre Ilir Meta?

Monika Kryemadhi

Monika Kryemadhi ka reaguar sërish pas arrestimit të ish-Presidentit Ilir Meta, duke e quajtur këtë ndalim të papranueshëm dhe çnjerëzor. Ajo u shpreh se mënyra se si Meta u ndalua në mes të rrugës, me urdhër të SPAK, është e padrejtë dhe e dëmshme.

Në një postim të dytë në rrjetet sociale, Kryemadhi ndau me ndjekësit e saj se tani është zyrtarisht në dijeni për akuzat që SPAK ka ngritur ndaj saj. Ajo theksoi se gjykata ka vendosur masën e detyrimit të paraqitjes për të, dhe tashmë po përgatitet të përballet me këtë sfidë ligjore.

Pavarësisht akuzave, Kryemadhi, e cila është ish-bashkëshortja e Ilir Metës, këmbëngul se ato janë të pabaza dhe të rreme. Me besim të plotë në pafajësinë e saj, ajo ka autorizuar avokatët për të ndjekur çdo hap ligjor të nevojshëm për t’u përballur me drejtësinë dhe për të mbrojtur emrin e saj.

Artemis Peca

Sekretari Organizativ i Partisë së Lirisë, Artemis Peca, i cili ndodhej në makinë me ish-Presidentin Ilir Meta në momentin e arrestimit, ka treguar si reagoi Meta ndaj ndalimit të tij. Gjatë një konference për mediat, Peca shpjegoi se Meta nuk kishte eskortë me vete dhe se nuk pati asnjë rezistencë nga ana e tij kur u ndalua.

Peca gjithashtu pretendoi se forcat e policisë i tërhoqën ata zvarrë, ndërsa Meta dhe Peca vetëm pyetën se çfarë po kërkonin prej tyre. Ky episod duket se ka ngjallur shumë reagime në skenën politike, duke e bërë situatën edhe më të tensionuar.

“Që ta dinë të gjithë, Ilir Meta nuk është frikacak. Nuk është si këta që lëvizin me eskorta nga frika. Meta nuk ishte në makinë me asnjë njeri tjetër dhe nuk ishte i shoqëruar me eskorta, nuk pati rezistenccë, u tregua shumë i sjellshëm dhe shumë i eduktuar. U kërkoi mandatin “ju lutem kush jeni ju, pse duhet të vij”. Ata në asnjë moment nuk dëgjonin fjalën e Metës. Ata vetëm tërhiqnin me forcë Metën dhe mua nga ana tjetër. Më pyetën mua se “kush je ti”. Ju thashë që jam “Sekretari Organizativ i Partisë”. Ju lutem i thashë “na tregoni se çfarë kërkoni”. Na thanë “do të vini me ne”. Na morën nga bluza dhe na tërhoqn zvarrë, ne nuk ushtruam asnjëlloj rezistencë.”

Tedi Blushi

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, e cilësoi arrestimin e Metës si një akt të rëndë. Në një deklaratë të fortë për mediat, Blushi akuzoi forcat policore, duke i quajtur “kriminelë nën uniformën e narko-policisë,” dhe hodhi akuza direkte ndaj Kryeministrit Rama, duke thënë se ai qëndron pas këtij arrestimi.

“Akt i pashembull terrorist. Kriminelët nën uniforma të narko-policisë kryen një prej krimeve më të pashembullta në Shqipëri duke rrëmbyer ish-Kryeministrin, ish-Kryetarin e Kuvendit dhe ish-Presidentin Ilir Meta, i cili edhe pse me imunitet dhe gjoja nën mbrojtje nga Garda, i tradhtuar dhe prej tyre, u rrëmbye nga dhjetra kriminelë nën uniformë të cilët i paralajmëroi që nga ky moment e kanë personale me shqiptarët e ndershëm sepse kanë marrë një detyrë që vetëm banditë dhe kriminelë mund ta bëjnë. Më e rëndë është dhuna fizike që këta terroristë kanë ushtruar sot ndaj ish-Presidentit duke kënaqur egon e kryemafiozit, Edi Rama, i faktuar botërisht si Kryeministri i vetëm në botë, i cili ka pritur në zyrë, përfaqësuesit e krimit të organizuar.”

“Akti i sotëm është një shpallje lufte ndaj opozitës që nga ky moment dhe që nga dita e sotme, i ka 2 drejtuesit të ndaluar politikisht. Tejkalimi i çdo vije të kuqe do të marrë edhe përgjigjen e popullit opozitar dhe të gjithë shqiptarëve të ndershëm në të katër anët e botës. Hakmarrje primitive e Ramës që përmes xhelatëve kreu aktin e fundit duke arrestuar në mënyrë kriminale liderin dhe Presidentin e PL-së, Ilir Meta. Të gjithë ata që kanë pasur shpresë tek sukseset, sot u bindën se në këtë vend nuk ka drejtësi. Kur ky akt kriminal në mes të ditës para qindra qytetarëve ndodh ndaj një ish-Presidenti, imagjinoni se ç’do të ndodhë sot e në vijim me secilin prej jush, me çdo qytetar të pambrojtur.”

“Kjo është beteja e të gjithë shqiptarëve të ndershëm që e duan atdheun, familjen dhe kombin shqiptar. Ndaj Metës nuk ka akuzë të mbështetur mbi fakte dhe prova, nuk ka prova e dokumente e dëshmi të vërtetë që e implikon atë në aferë korruptive. Proces i inskenuar nga Rama dhe i zbatuar nga xhelati i tij në krye të kësaj strukture terroriste sepse akuzat e vetme për të cilat Meta është ndaluar: Mbrojtja e interesit kombëtar, mbrojtja e çështjes së Kosovës, beteja e tij e jashtëzakonshme për mbrojtjen e çështjes së detit. Edi Rama do të marrë përgjigjen më shembullore nga shqiptarët e ndershëm dhe patriotë nga të katër anët e botës. Ne jemi duke identifikuar të gjithë skuadrën terroriste që ka marrë pjesë sot dhe do ju faktojmë me prova lidhjet e tyre kriminale.”

Genc Gjokutaj

Nga ana e tij, avokati Genc Gjokutaj, në një konferencë për mediat, e cilësoi arrestimin e Metës si një lëvizje politike në prag të zgjedhjeve. Sipas tij, kjo ngjarje tregon se sistemi i drejtësisë është në rënie dhe nuk ka asnjë provë konkrete që lidh Metën me akuzat e ngritura ndaj tij.

Gjokutaj ishte i vendosur në deklaratën e tij se arrestimi i Metës është një shkelje e rëndë ligjore, ndërsa pretendimet për përfshirje në çështje korruptive mbeten të pabazuara. Ai beson se kjo lëvizje është thjesht një përpjekje për të dobësuar kundërshtarët politikë.

“Një pjesë të mirë e ezuroi zoti Blushi. Doja tu tërhiqja vëmendjen ju shtypit dhe opinionit publik sepse duhet ta kuptoni që është i njëjti trajtim jo ligjor i liderëve të opozitës. Keni parasysh që goditja e parë zotit Meta i është dhënë në pozicionin e Presidentit të Republikës me akte të falsifikuara. E gjithë kjo është eleminimi politik i tij si një pengesë e madhe për rilindjen dhe mazhorancën. Sot merret me një çështje penale që është një çështje e gjykuar që zoti Meta ka dhënë sqarime të hollësishme.”

“Nuk ka asnjë provë që ta implikojë zotin Meta. Kjo është një e vërtetë që do të referohet edhe në aktet e dosjes sepse aktet aty janë. Një çështje e gjykuar nga një kallëzues që ka dhënë ose dëshmi të rremë ose kallëzim të rremë dhe përpara SPAK nuk ka qenë identik në rrëfimin e tij dhe në të dyja rastet zoti Meta nuk implikohet. Kjo është një goditje pastërtisht politike në prag të zgjedhjeve dhe kjo është dritë dielli dhe për më tepër duke u drejtuar nga drejtuesi i saj Altin Dumani që ka konflikt interesi në këtë çështje. Ai nuk mund të jetë hetuesi i kësaj çështje. Në këto raste këto janë ato elementet që e bëjnë këtë proces jo të rregullt ligjor.”

“Cili është qëllimi, qëllimi është politik dhe aspak ligjor. Goditja po të ishte do të ishte në fillim kur çështja filloi. Përse nuk është vepruar. Po se çfarë qëndron pas këtij arresti nuk e thonë. Kemi të bëjmë me një strukturë që duhet të ishte ligjore dhe veprën e korrupsionit nuk ngurojnë të thonë që korrupsioni konsumohet edhe duke zbatuar ligjin.”

“Ka rënë sistemi i drejtësisë dhe rënia e sistemit të drejtësisë provohet me episodin e sotëm me arrestimin e zotit Meta. Do të vazhdojmë të gjithë betejën ligjore në të gjitha shkallët e ankimit krahas formave të tjera të protestës. Kaq mund t’ju themi sot.”

Kjo situatë ka krijuar një klimë të tensionuar politike, me shumë të shqetësuar për mënyrën se si do të ndikojë kjo ngjarje në zgjedhjet e ardhshme dhe në ecurinë e drejtësisë në vend.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera