Si të mbrohemi nga virozat: Këshilla për të parandaluar përhapjen e tyre

Virozat janë rikthyer në qarkullim të lartë, duke përfshirë shumë qytetarë në betejën për një shëndet më të mirë.

Eksperti i mjekësisë, Ilir Allkja, gjatë një bisede televizive, ndau këshilla të vlefshme për parandalimin dhe përballimin më të lehtë të tyre.

Ai theksoi rëndësinë e qëndrimit në ambiente të ajrosura mirë dhe përshtatjen me veshje të ngrohta, sidomos kur temperaturat bien. Sipas mjekut, një faktor kryesor që ndikon në ashpërsinë e simptomave është ngarkesa virologjike, e cila lidhet me sasinë e viruseve që marrim nga mjedisi.

“Viruset kanë qenë gjithmonë mes nesh dhe nuk mund t’i shmangim plotësisht. Megjithatë, mënyra jonë e jetesës dhe kujdesi ndaj shëndetit mund të bëjnë një ndryshim të madh. Duhet të përgatisim trupin për të qenë më imun ndaj këtyre agjentëve, qofshin ato viruse apo baktere,” deklaroi Allkja. Ai shtoi se faktorët si ushqyerja, stresi, ndotja e mjedisit dhe ekspozimi ndaj viruseve luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen imunitare.

Një detaj i rëndësishëm që mjeku theksoi ishte rreziku i qëndrimit për kohë të gjatë në ambiente të mbyllura dhe të mbipopulluara. Sipas tij, nëse një person ekspozohet ndaj një sasi të vogël virusesh, ka më pak gjasa të sëmuret, ndërsa në ambiente të mbyllura, ngarkesa virale rritet, duke shtuar mundësinë e infektimit.

Për të ruajtur shëndetin, ai këshilloi ndryshimin e stilit të jetesës, sidomos gjatë periudhave me temperatura të ulëta. “Të rinjtë shpesh preferojnë të vishen lehtë për shkak të estetikës, por unë gjithmonë i këshilloj: bukuria gjendet tek shëndeti. Kur je i shëndetshëm, je edhe i bukur,” tha mjeku.

Përveç veshjes së përshtatshme, ai rekomandoi shmangien e ambienteve të mbipopulluara dhe krijimin e kushteve për ajrim të vazhdueshëm. “Është shumë më mirë të kesh ajër të freskët dhe të ndërruar sesa të qëndrosh në një ambient të ngrohtë, por me ajër të ndenjur,” shtoi ai.

Mjeku gjithashtu u fokusua në rëndësinë e edukimit për kujdesin personal dhe përgatitjen e organizmit për t’u përballur me sfidat shëndetësore. “Duhet të trajnojmë veten që të kujdesemi më shumë për trupin tonë. Kjo fillon që nga mënyra e jetesës e deri te masat parandaluese për virozat.”

Përfundimisht, këshilla e tij kryesore ishte që qytetarët të qëndrojnë vigjilentë dhe të adoptojnë zakone të shëndetshme për të minimizuar rrezikun e infektimit, duke i dhënë përparësi shëndetit mbi çdo gjë tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera