Nga anija Vlora te suksesi: Rruga e veçantë e Erjola Brahës drejt biznesit të verërave

Në Shqipëri, gjithnjë e më shumë gra po hyjnë me sukses në botën e biznesit.

Një prej tyre është Erjola Braha, e cila prej mbi dy dekadash ka ndërthurur talentin dhe përvojën e saj në fushën e enologjisë, duke krijuar një emër të respektuar në tregun shqiptar. Me një trashëgimi përvoje nga Italia, sot ajo jo vetëm importon verëra nga shumë vende të botës, por ka krijuar edhe markën e saj unike.

Erjola e nisi rrugëtimin e saj si një vajzë 10-vjeçare nga Durrësi, kur në gusht të vitit 1991 hipi në anijen legjendare “Vlora” me destinacion Italinë. “Ishte një nga udhëtimet më të bukura të fëmijërisë sime, plot me shpresë dhe ëndrra,” kujton ajo. Megjithëse shumica e shqiptarëve të mbërritur në brigjet italiane u riatdhesuan, fati i dha Erjolës mundësinë të qëndronte dhe të zhvillohej në një prej rajoneve më të njohura për verë, Veneto.

E rritur mes vreshtave të Valdobbiadene, që ajo e quan “kryeqyteti i bulëzave”, Erjola formoi pasionin për artin e prodhimit të verërave. Pas 10 vitesh, ajo u kthye në Shqipëri me ide të vogla por guxim të madh për të ndërtuar diçka të veçantë. “Kuptova që isha në vendin e duhur në momentin e duhur. Duke kërkuar një gotë verë të bardhë italiane apo franceze dhe duke mos e gjetur, vendosa të sjell vetë një zgjidhje”, thotë ajo.

Hapat e para në tregun shqiptar ishin sfidues. Erjola bashkëpunoi me kantina në Veneto dhe u përball me vështirësitë e edukimit të tregut lokal. “Gjatë 6 viteve të para, prezantoja vetë produktet, shpjegoja historinë e çdo shishe dhe bëja agjenten e shitjeve. Ishte një proces i gjatë, por unë besoj se vera është histori, dhe kjo histori duhet të përcillet tek të gjithë”, thekson ajo.

Sot, “Alehandro Group”, kompania që ajo drejton, importon verëra nga vendet më të njohura të botës, si Zelanda e Re, SHBA, Kili, Argjentina, Italia, Franca dhe Portugalia. Pas mbi 20 viteve përvojë, ajo ka hedhur një hap të ri, duke krijuar markën e saj të verës. “Kroi i Kuq” dhe “Kroi i Bardhë” janë produktet e para që mbajnë vulën e kantinës “Braha”, me varietetet autentike shqiptare si Sheshi i Zi dhe Kallmeti, të kombinuara me Merlot dhe Chardonnay.

“Këto verëra janë të veçanta jo vetëm për shijen e tyre, por edhe për historinë që mbartin. Për shembull, kantina jonë ndodhet pranë një kroi të vogël, që na frymëzoi për emrin e tyre”, tregon Erjola. Me ndihmën e enologut të njohur italian Rodolfo Rizzi, ajo ka krijuar një produkt që përfaqëson një kombinim të traditës dhe inovacionit.

Ambiciet e Erjolës nuk ndalen me kaq. Ajo po krijon akademinë “Alehandro”, e dedikuar formimit të brezave të rinj në enologji, someleri dhe shitje. “Do të formojmë 200 nxënësit e parë me ndihmën e ekspertëve nga Spanja dhe Italia. Është koha që dija dhe përvoja jonë të përcillet te të rinjtë”, thotë ajo.

Pas gjithë këtyre viteve, Erjola Braha është një shembull i qartë se si pasioni dhe përkushtimi mund të tejkalojnë çdo pengesë. Ajo e ka gdhendur rrugën e saj duke kujtuar gjithmonë udhëtimin me anijen “Vlora” dhe duke u bindur se çdo dallgë mund të të drejtojë pikërisht në bregun ku ti do të mbërrish.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera