Predikuesi mysliman turk, Fethullah Gulen, për të cilin Ankaraja thotë se ishte pas grushtit të dështuar të shtetit në 2016, ka ndërruar jetë në Shtetet e Bashkuara, ku jetonte prej vitesh, sipas mediave turke të hënën.
Gulen u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare. Ai ndërtoi një lëvizje të fuqishme islamike, të njohur si FETO, jo vetëm në Turqi, por edhe më gjerë. Në vitet e tij të fundit, ai u akuzua për orkestrimin e një tentative për grusht shteti kundër presidentit turk, Tajip Erdogan, akuza të cilat ai i mohoi gjithmonë.
Prej kohësh, Gulen vuante nga disa probleme shëndetësore dhe kishte disa ditë i shtruar në spital. Ai është një nga kundërshtarët më të njohur të Erdogan-it, i cili ka kërkuar edhe nga Shqipëria të luftojë ndikimin e Gulenizmit, duke mbyllur çdo degë të aktiviteteve të tij në vend.
Fetullah Gulen lindi më 27 prill 1941 në Erzurum të Turqisë dhe që në moshë të re filloi të shfaqte interes për fenë islame, duke ndjekur mësimet fetare dhe duke u bërë një predikues i njohur. Në vitet ’70, Gulen filloi të krijonte një lëvizje të bazuar në arsim dhe etikë islame, që synonte edukimin e të rinjve dhe promovimin e paqes e dialogut ndërfetar. Kjo lëvizje u zgjerua dhe u kthye në një rrjet global shkollash, fondacionesh dhe biznesesh, duke tërhequr ndjekës të shumtë. Ndërkohë, Gulen dhe mbështetësit e tij u angazhuan fuqimisht në politikat turke.
Lëvizja Gulen, e njohur ndryshe si Hizmet (Shërbimi), fitoi një ndikim të madh në fushat e arsimit, biznesit dhe madje edhe në sistemin gjyqësor të Turqisë. Për vite me radhë, Gulen ishte një aleat i fortë i qeverisë turke, por marrëdhëniet mes tij dhe presidentit Erdogan u përkeqësuan ndjeshëm pas vitit 2013, kur qeveria turke e akuzoi atë dhe lëvizjen e tij për krijimin e një “shteti paralel”. Pas grushtit të dështuar të shtetit në 2016, Ankaraja e shpalli lëvizjen FETO një organizatë terroriste, edhe pse Gulen i mohoi të gjitha akuzat.
Në Shqipëri, ndikimi i Fetullah Gulen u shtri përmes institucioneve arsimore dhe kulturore. Shkollat dhe qendrat arsimore të lidhura me lëvizjen Gulen, siç është rrjeti i shkollave “Turgut Ozal”, kanë qenë të njohura për standardet e tyre të larta dhe kanë tërhequr mijëra studentë shqiptarë. Megjithatë, pas përkeqësimit të marrëdhënieve mes Erdoganit dhe Gulenit, presidenti turk ka bërë thirrje të përsëritura për mbylljen e këtyre institucioneve në Shqipëri, duke i konsideruar si pjesë e rrjetit të “rrezikshëm” të FETO-s.
Pavarësisht presionit të vazhdueshëm nga Ankaraja, institucionet e lidhura me Gulenin në Shqipëri kanë vazhduar të funksionojnë. Kjo situatë ka shkaktuar një debat publik mbi rolin dhe ndikimin e lëvizjes Gulen në Shqipëri, si dhe mbi marrëdhëniet mes dy vendeve. Ndërkohë që disa e shohin lëvizjen e Gulenit si një forcë pozitive për edukimin, të tjerët e shohin si një çështje delikate në raport me Turqinë dhe ndikimin politik të saj.