Lajm i mirë për të gjithë ata që kanë punuar në koperativa, do t’ju njihen të gjitha vitet e humbura të punës.

Për të gjithë ata që kanë punuar në kooperativa apo ish-ndërmarrjet bujqësore gjatë periudhës komuniste, ka lajme të mira!

Vitet e punës do t’ju njihen edhe në rastet kur ka pasur probleme me dokumentacionin.

Ministria e Ekonomisë ka përgatitur një projektligj të ri, i cili tashmë është në fazë konsultimi publik. Ky ligj garanton që burrat do të kenë të njohura automatikisht 15 vite pune, ndërsa gratë 13 vite, deri në vitin 1991. Kjo do të thotë që, në rastet kur mungojnë vitet e punës në arkiva, ka pasaktësi në emër, ose ndonjë shënim me laps, vjetërsia për efekt pensioni do të njihet automatikisht. Nuk do të keni nevojë të shkoni në gjyq apo të bëni ankimime në zyrat e sigurimeve shoqërore.

Paga e referencës në këto raste do të jetë mesatarisht nga 2,833 lekë për ish-ndërmarrjet bujqësore, deri në 4,110 lekë për ish-kooperativat, me koeficientët përkatës të përfshirë në llogaritjen e përfitimeve.

Gjithashtu, vitet e punës që do të njihen janë nga mosha 18 vjeç e më lart, duke filluar nga viti 1977 deri në 1991. Një kusht i rëndësishëm është që aplikuesi duhet të ketë qenë banor në fshatin ku ndodhej kooperativa ose ferma dhe të mos ketë qenë duke vuajtur dënim me heqje lirie gjatë asaj periudhe.

Ky ligj nuk do të aplikohet për ata që tashmë janë në pension, por do të përfitojnë të gjithë ata që janë në proces ankimimi në ISSH ose në proces gjyqësor kur ligji të hyjë në fuqi. Kjo pritet të ketë ndikim pozitiv edhe në sistemin e drejtësisë, pasi do të ndihmojë në zgjidhjen e shumë dosjeve që janë ende në pritje në gjykata.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera