Viti 2024, viti më i nxehtë i rregjistruar në histori

Raporti i fundit i Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus (C3S) të Bashkimit Europian ka konfirmuar se viti 2024 është zyrtarisht më i nxehti në historinë e dokumentuar të shërbimeve meterologjike.

Studimi tregon se temperaturat globale janë rritur me 1.6 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale (1850-1900). Deri atëherë, viti më i nxehtë ishte 2023.

Në Konferencën Ndërkombëtare për Klimën në Paris, në vitin 2015, 196 liderë botërorë ranë dakord të kufizojnë ngrohjen globale deri në 2 gradë Celsius, duke synuar gjithashtu të ruajnë temperaturat nën kufirin prej 1.5 gradësh. Por me temperaturat e fundit që kanë tejkaluar këtë prag në disa periudha, shqetësimet për tejkalimin e këtyre limiteve janë rritur.

Zëvendësdrejtoresha e C3S, ka sqaruar se tejkalimi i pragut të 1.5 gradëve në dy vitet e fundit nuk do të thotë automatikisht se Marrëveshja e Parisit është thyer. Ajo theksoi se ky kufi bazohet në mesatare shumëvjeçare dhe jo në të dhëna vjetore. Megjithatë, ajo paralajmëroi se këto shifra tregojnë drejtimin alarmues ku po shkon planeti ynë.

Klimatologët theksojnë se rritja e temperaturave ndikon drejtpërdrejt në shtimin e ngjarjeve ekstreme, si përmbytje, zjarre dhe stuhi tropikale. Në vitin 2024, përmbytjet goditën Sudanin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Spanjën, ndërsa zjarret shkatërruan pjesë të Brazilit. Europën dhe Afrikën Perëndimore i përfshinë vala të nxehtësisë, ndërsa stuhitë tropikale u ndjenë rëndë në SHBA dhe Filipine.

Sipas Organizatës së Atribuimit të Motit Botëror, ngrohja globale ka ndikuar në intensifikimin e të paktën 26 ngjarjeve ekstreme gjatë vitit të kaluar. Shkaku kryesor i ngrohjes mbetet djegia e lëndëve fosile nga aktivitetet njerëzore si industria dhe transporti, ndërsa fenomene natyrore si El Niño kanë kontribuar gjithashtu në rritjen e temperaturave.

El Niño, i cili ndodh çdo dy deri në shtatë vjet, lidhet me ngrohjen e Paqësorit Qendror dhe Lindor dhe ka ndikuar në temperaturat e sipërfaqeve të deteve, që në vitin 2024 ishin 0.51 gradë Celsius mbi mesataren 1991–2020. Shkencëtarët paralajmërojnë se detet, të cilat magazinojnë 90% të nxehtësisë nga ngrohja globale, po arrijnë kufirin e tyre mbrojtës.

Edhe pse El Niño përfundoi në 2024, oqeanet vazhdojnë të mbajnë më shumë nxehtësi se më parë, duke rritur mundësinë e temperaturave të larta edhe në 2025. Ekspertët sugjerojnë se kjo nxehtësi mund të mos arrijë rekorde të reja, por megjithatë do të mbetet shqetësuese për ndikimin që do të ketë në sistemet ekologjike dhe jetën njerëzore.

Në ndërkohë, nivelet e gazrave serë vazhdojnë të rriten. Raporti i C3S vëren se rritja e dioksidit të karbonit në atmosferë ishte më e lartë krahasuar me vitet e fundit. Ky gaz, që qëndron në atmosferë për qindra vjet, është përgjegjësi kryesor për rritjen e temperaturave globale.

Në një deklaratë, theksohet nevoja për të ndaluar zgjerimin e përdorimit të lëndëve fosile dhe për të investuar në infrastrukturë me karbon zero. Ndërkohë, pa veprime të menjëhershme, ekspertët paralajmërojnë se do të jetë pothuajse e pamundur të ruhet limiti prej 1.5 gradësh, një objektiv që mbetet vendimtar për të shmangur katastrofat klimatike të mëtejshme.

Mesazhi është i qartë: ndryshimet klimatike nuk janë problem i së ardhmes, por një krizë e tashme që kërkon veprime të shpejta dhe të qëndrueshme. Sipas ekspertëve, çdo fraksion i një grade ka rëndësi të madhe, jo vetëm për gjeneratat e ardhshme, por edhe për sigurinë dhe mirëqenien e njerëzimit sot.

Ndaj Postimin: