Banorët e Ngurrëzit: Mbifaturimi për energjinë elektrike, një padrejtësi që askush nuk e zgjidh

Një problematikë shqetësuese ka prekur banorët e zonës së Ngurrëzit, të cilët prej muajsh përballen me mbifaturime të energjisë elektrike.

Shumë prej tyre raportojnë se nuk kryhet leximi i rregullt i matësve të energjisë, ndërsa faturat e tyre reflektojnë shifra që nuk përputhen me konsumin real.

Lulzim Zonja, një banor i zonës, ka vendosur ta bëjë publik këtë problem. Ai tregon se ka marrë një faturë prej mbi 860 kilovatësh të pa konsumuara, edhe pse konsumi i tij i energjisë është minimal. “Në këtë zonë, askush nuk lexon sahatet dhe na mbifaturojnë në mënyrë të padrejtë,” thotë Zonja, duke shtuar se shumë banorë të tjerë përballen me të njëjtën situatë, por nuk e ngrenë zërin nga frika ose pasiviteti.

Pasi kërkoi sqarime pranë zyrave të OSHEE në Lushnje, Zonja raportoi se megjithëse autoritetet pranuan mbifaturimin, ai u detyrua të paguajë faturën për të cilën nuk është përgjegjës. “Edhe kur e pranojnë gabimin, asgjë nuk ndryshon. Ne duhet të paguajmë atë që nuk e kemi konsumuar,” shprehet ai pas daljes nga zyrat.

Përveç mbifaturimit, banorët e zonës përballen me kushte të mjerueshme në furnizimin me energji elektrike. Linjat janë jashtë çdo standardi dhe shpesh dëmtohen nga kallamat që mbështjellin fijet përcjellëse. Zonja tregon se është i detyruar të marrë vetë masa, duke pastruar kallamat për të shmangur ndërprerjet e shpeshta të energjisë.

“Edhe pse ka punonjës përgjegjës për leximin e sahateve, ata nuk vijnë. Në vend të kësaj, ne marrim fatura me shifra të ekzagjeruara,” thotë Zonja, duke theksuar se ky problem është sistematik dhe kërkon një zgjidhje të menjëhershme.

Në lidhje me këtë çështje, OSHEE Lushnje ka bërë thirrje që qytetarët e mbifaturuar të paraqesin kërkesë pranë zyrave të tyre për të rregulluar situatën e faturave. Megjithatë, për shumë banorë, ky proces është i vështirë dhe shpesh nuk garanton një zgjidhje të shpejtë ose të drejtë.

Situata e mbifaturimeve dhe problemet infrastrukturore në Ngurrëz pasqyrojnë një realitet të vështirë për banorët e zonave rurale, të cilët përballen jo vetëm me mungesën e shërbimeve bazike, por edhe me padrejtësi administrative që rëndojnë gjendjen e tyre ekonomike. Banorët apelojnë për vëmendje dhe ndërhyrje konkrete nga institucionet për të garantuar trajtimin e drejtë dhe shërbime cilësore për energjinë elektrike.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera