Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të rënda ndaj ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, gjatë një deklarate për mediat jashtë godinës së SPAK.
Berisha pretendon se Balla ka komunikuar dhe bashkëpunuar me një anëtar të bandës së Elbasanit për përfitime elektorale dhe tendera publikë.
Sipas Berishës, më 10 shkurt 2020, një anëtar i bandës së Elbasanit i ka dërguar një mesazh Ballës, duke e informuar për një marrëveshje të arritur. Marrëveshja parashikonte që banda nuk do të kërkonte më favore të reja, përveç atyre që ishin dakordësuar paraprakisht, ndërsa në këmbim, kërkohej arrestimi i kundërshtarëve të tyre.
“Mesazhi iu përcoll Taos, i cili e pranoi këtë kusht, duke pyetur nëse banda garantonte votat për Partinë Socialiste në këmbim të arrestimeve. Përgjigjja ishte e qartë: ‘Po, ne i garantojmë votat,’ dhe Tao u zotua se arrestimet do të kryheshin brenda vitit,” deklaroi Berisha.
Berisha pretendon se kjo marrëveshje çoi në arrestimin e familjes Çapja në mars të vitit 2021, pak para zgjedhjeve parlamentare. Ai argumenton se këto veprime synonin rritjen e ndikimit politik të Ballës në qarkun e Elbasanit. “Tao doli kampion i votave duke përdorur këtë skemë kriminale,” shtoi ai.
Sipas Berishës, Balla jo vetëm që ka ndërhyrë në tendera publikë dhe vendime gjyqësore, por ka ndërtuar një sistem të ndërlikuar ku interesat kriminale dhe ato politike janë të ndërlidhura. “Tao përcakton tendera, arrestime dhe vendime gjykatash, dhe në këmbim merr garanci për vota. Kjo është një shkelje flagrante e ligjit dhe një tjetër provë e bashkëpunimit mes qeverisë dhe krimit të organizuar,” tha Berisha.
Ai gjithashtu kritikoi SPAK-un dhe drejtuesin e tij, Altin Dumanin, duke i quajtur “pjesë e kësaj organizate kriminale”. Sipas Berishës, SPAK ka pasur këto prova prej kohësh, por nuk ka vepruar për shkak të presionit politik. “Dumani vepron si Edi Rama dhe ministrat e tij, duke mbuluar krimet në këmbim të përfitimeve personale dhe politike,” tha ai.
Në vijim, Berisha paralajmëroi se do të publikojë dokumente të tjera që, sipas tij, faktojnë përfshirjen e zyrtarëve të lartë në skema kriminale. Ai përmendi edhe skandale të tjera, duke përfshirë shpërndarjen e tenderave për ndërtimin e rrugëve dhe lejet e ndërtimit që, sipas tij, janë të manipuluara.
“Në Shqipëri, kemi një organizatë kriminale që unë e quaj Skrapi i partisë. Tao është vetëm një hallkë në këtë zinxhir. Avash-avash, unë do të publikoj gjithçka dhe do të faktoj pse kjo qeveri është e zhytur në krim,” përfundoi Berisha.
Deklaratat e tij kanë ngritur valë reagimesh dhe pritet të sjellin zhvillime të mëtejshme në arenën politike dhe juridike të vendit.