Tragjedi në Korenë e Jugut: Avioni del nga pista, përplaset me murin dhe shpërthen në flakë, 120 viktima dhe vetëm dy të mbijetuar

Një ngjarje tragjike ka tronditur Korenë e Jugut mëngjesin e 28 dhjetorit, kur një avion i kompanisë “Jeju Air” u përplas me një mur dhe shpërtheu në flakë pas daljes nga pista gjatë një uljeje emergjente në Aeroportin Ndërkombëtar të Muanit, rreth 300 kilometra larg Seulit.

Në bord ndodheshin 181 persona, përfshirë gjashtë anëtarë të ekuipazhit dhe 175 pasagjerë, shumica e tyre shtetas koreano-jugorë, si dhe dy shtetas tajlandezë.

Avioni, i nisur nga Bangkoku, arriti në Muan në orën 09:03 sipas orës lokale, kur ndodhi fatkeqësia. Bilanci i viktimave është shokues: të paktën 120 persona kanë humbur jetën, ndërsa vetëm dy individë, një burrë dhe një grua nga ekuipazhi, u shpëtuan nga pjesa e bishtit të avionit. Shpresat për të gjetur të mbijetuar të tjerë janë minimale, sipas ekipeve të kërkim-shpëtimit që vijojnë operacionet në vendngjarje.

Si ndodhi tragjedia?

Sipas agjencisë së lajmeve Yonhap, avioni po përpiqej të kryente një ulje emergjente pasi kishte dështuar në tentativën e parë për shkak të një defekti në sistemin e rrotave të uljes. Pas dështimit për të ngadalësuar me sukses, avioni doli nga pista dhe u përplas me një mur betoni, çka shkaktoi shpërthimin dhe përfshirjen e tij në flakë.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit. Sipas burimeve fillestare, kushtet atmosferike janë një ndër pistat kryesore, edhe pse dukshmëria në momentin e uljes ishte mjaft e mirë. Një hipotezë tjetër përfshin një përplasje të mundshme me një tufë zogjsh, që mund të ketë shkaktuar defektin fillestar të rrotave të uljes.

Detaje nga dëshmitarët dhe komunikimet e fundit

Një pasagjer, përpara përplasjes fatale, kishte dërguar një mesazh të fundit te një i afërm, ku përmendte se “një tufë zogjsh ishte përplasur me krahun e avionit”. Në mesazhin e tij të fundit, ai pyeste: “A duhet të them fjalët e mia të fundit?”. Ky moment dramatik ka thelluar dhimbjen dhe shokun për familjet e viktimave.

Reagimet dhe masat e ndërmarra

Ministria e Transportit të Koresë së Jugut ka deklaruar se goditja nga zogjtë është vetëm një nga disa hipoteza që po hetohen, ndërsa të gjitha fluturimet në aeroportin e Muanit janë pezulluar deri në përfundimin e hetimeve. Kompania “Jeju Air” ka shprehur ngushëllimet e saj për viktimat dhe ka premtuar bashkëpunim të plotë me hetuesit.

Prodhuesi Boeing sërish nën vëmendje

Avioni i përfshirë në aksident ishte një Boeing 737-800, një model që ka shërbyer me besueshmëri për vite me radhë. Megjithatë, prodhuesi amerikan Boeing është përballur me kritika të ashpra për defektet teknike në disa nga modelet e tij, përfshirë serinë 737 Max, që pason modelin 800. Kompania ka shprehur dhimbjen për humbjet njerëzore dhe ka deklaruar se është në kontakt të ngushtë me autoritetet koreane për të ndihmuar në hetimet.

Kjo tragjedi mbetet një ngjarje e rëndë për historinë e aviacionit në Korenë e Jugut, duke ngritur shqetësime të mëdha mbi sigurinë ajrore dhe menaxhimin e emergjencave në rajon. Hetimet pritet të japin përgjigje të qarta në ditët në vijim.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera