Fshati Hajmel, i njohur për mikpritjen dhe traditat e tij, ka hapur për të pestin vit radhazi dyert për “Betlehemin e gjallë”, një përvojë unike që e sjell historinë biblike të lindjes së Jezu Krishtit në jetë.
Qindra vullnetarë nga Hajmeli dhe fshatrat përreth janë angazhuar për të rikrijuar këtë moment të shenjtë me një përkushtim mbresëlënës.
Nga kostumet deri tek aktrimi dhe rikrijimi i personazheve nga Libri i Shenjtë, gjithçka është realizuar me një vëmendje të jashtëzakonshme ndaj detajeve. Çdo vit, kjo traditë unike bëhet më madhështore, duke tërhequr vizitorë nga i gjithë vendi dhe më gjerë.
“Për pesë vite me radhë marrim pjesë në këtë organizim. Ne imitojmë qytetin e Betlehemit, vendin ku Krishti ka lindur dhe ka jetuar. Janë të paktën dy muaj punë intensive, ku gjithçka realizohet me vullnetarizëm,” – tregon një këpucar, pjesë e këtij projekti të veçantë.
Organizatorët e ngjarjes, të përkushtuar për të perfeksionuar çdo detaj, thonë se përgatitjet këtë vit kanë qenë më të gjata dhe më të impenjative. “Këtë vit kemi zgjeruar rrugët dhe hapësirën e Betlehemit. U deshën dy muaj për përgatitjen dhe angazhuam rreth 300 vullnetarë që luajnë role të ndryshme. Realisht është një sfidë për të gjithë ne,” – shprehet Gjon Shtjefni, një nga organizatorët kryesorë.
Vizitorët, që vijnë nga të gjitha moshat dhe madje nga vende të ndryshme, mbeten të magjepsur nga autenticiteti i kësaj ngjarjeje. “Është hera e parë që vij këtu dhe jam e mahnitur. Është mbresëlënëse të shohësh sesi njerëzit bashkëpunojnë dhe skenat janë magjike,” – thotë një vizitore amerikane, duke përforcuar vlerat ndërkombëtare që kjo traditë po fiton.
“Betlehemi i gjallë” ka arritur të shndërrohet në një pelegrinazh turistik të fundvitit, duke e vendosur Hajmelin në hartën kulturore dhe shpirtërore të Shqipërisë. Për shumëkënd, kjo përvojë është më shumë se një rikrijim historik; është një mundësi për reflektim dhe bashkim mes komuniteteve.
Ky organizim shërben gjithashtu si një platformë për të promovuar trashëgiminë dhe kulturën lokale, duke i dhënë Hajmelit një vend të veçantë në traditat festive të vendit. Për të gjithë ata që nuk e kanë pasur mundësinë ta përjetojnë deri më tani, organizatorët kanë njoftuar se aktiviteti i fundit do të mbahet më 2 janar.
Në një kohë kur traditat shpesh sfidohen nga moderniteti, “Betlehemi i gjallë” në Hajmel është një shembull frymëzues i asaj se si përkushtimi dhe bashkëpunimi mund të mbajnë gjallë vlerat e përbashkëta, duke krijuar një përvojë që prek zemrat e të gjithëve.