Siria është përfshirë nga protesta masive pas djegies së një peme Krishtlindjeje në qytetin Suqaylabiyah, pranë Hama-s, një zonë me shumicë të krishterë.
Video të publikuara në rrjetet sociale tregojnë persona të maskuar duke i vënë flakën pemës në sheshin kryesor të qytetit, një akt që ka shkaktuar zemërim të gjerë në vend.
Radical Muslims lit a Christmas tree on fire in Al-Suqaylabiyah to send an unwelcoming message to the few remaining Christians in Syria. pic.twitter.com/3cgF8Gz2Oi
— Brigitte Gabriel (@ACTBrigitte) December 23, 2024
Sipas grupit kryesor islamist që udhëhoqi rebelimin kundër presidentit Bashar al-Asad, personat përgjegjës për këtë akt janë luftëtarë të huaj. Grupi njoftoi se ata janë arrestuar dhe se pema do të riparohet shpejt.
Ngjarja ka nxitur mijëra sirianë të dalin në rrugë, duke kërkuar mbrojtje për pakicat fetare nën udhëheqjen e re islamiste. Në lagjen Bab Touma të Damaskut, protestuesit mbanin kryqe dhe flamuj sirianë, duke brohoritur: “Do të sakrifikojmë shpirtin tonë për kryqin tonë.”
Një protestues, Georges, i tha agjencisë AFP: “Nëse nuk mund ta jetojmë fenë tonë të krishterë në vendin tonë, ashtu si më parë, atëherë ne nuk i përkasim më këtij vendi.”
Siria, një vend me shumëllojshmëri etnike dhe fetare, përfshin kurdë, armenë, asirianë, të krishterë, druza, shiitë alavitë dhe shumicën arabe sunite. Pak ditë më parë, presidenca e Bashar al-Asad ra në duart e forcave rebele, duke i dhënë fund më shumë se 50 viteve sundim të familjes Asad.
Udhëheqësit e grupit Hayat Tahrir al-Sham (HTS), që tani kontrollojnë Sirinë, kanë premtuar një qeverisje për të gjithë sirianët, duke mbrojtur të drejtat dhe liritë e pakicave fetare dhe etnike. Megjithatë, e kaluara xhihadiste e grupit mbetet një pikë shqetësuese.
HTS vazhdon të konsiderohet si një organizatë terroriste nga OKB-ja, SHBA-ja, BE-ja dhe Britania e Madhe. Por, ka shenja të një ndryshimi diplomatik. Të premten, SHBA-ja hoqi një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për kapjen e liderit të HTS-së, Ahmed al-Sharaa, pas takimeve mes diplomatëve të lartë dhe përfaqësuesve të grupit.
Ndërkohë, SHBA-ja ka konfirmuar praninë e saj ushtarake në Siri, duke kryer një sulm ajror në qytetin verior Deir Ezzor, ku vranë dy anëtarë të grupit Shteti Islamik (IS).
Për qeverisjen e re islamiste, sfida kryesore mbetet praninë e luftëtarëve të huaj, ekstremistëve islamikë dhe mbështetësve të regjimit të mëparshëm, që mund të përdorin sulmet ndaj pakicave për të destabilizuar vendin.
E ardhmja e Sirisë nën udhëheqjen e HTS-së mbetet e paqartë, por tensionet aktuale tregojnë për sfidat e shumta që vendi do të përballet në përpjekjet për të rindërtuar unitetin dhe stabilitetin.