Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar për herë të parë pas incidentit që ndodhi gjatë protestës së opozitës, ku ai humbi ndjenjat dhe përfundoi në spital.
Në një deklaratë publike, Gjekmarkaj ka hedhur akuza të ashpra ndaj policisë, duke e cilësuar sjelljen e tyre si të dhunshme dhe të diktuar nga motive politike.
Sipas deputetit, gjithçka ndodhi në momentin kur ai dhe shoqëruesi i tij u rrethuan nga një grup i madh efektivësh të policisë. “I thashë me butësi dhe humor: ‘Mos më prekni, jam Agron Gjekmarkaj, nënkryetari i Kuvendit dhe deputet.’ Por reagimi i tyre ishte brutal. Më shtynë, thyen pasqyrën e makinës dhe më ngritën në ajër. Kjo dhunë më shkaktoi vështirësi në frymëmarrje dhe më bëri të humb ndjenjat,” deklaroi ai.
Gjekmarkaj theksoi se humbja e ndjenjave nuk lidhej me ndonjë problem shëndetësor, por ishte rezultat i veprimeve të policisë. Ai shtoi se u detyrua të largohej nga protesta për të marrë ndihmë mjekësore në spital, ndonëse do të kishte preferuar të qëndronte përkrah protestuesve.
Deputeti akuzoi policinë se veprimet e tyre ishin të koordinuara dhe të motivuara politikisht. “Ata nuk mund të shtynin një deputet në atë mënyrë pa një urdhër politik,” u shpreh Gjekmarkaj, duke e krahasuar këtë sjellje me praktikat represive të regjimeve të kaluara totalitare.
Në deklaratën e tij, Gjekmarkaj vlerësoi mbështetjen e demokratëve, qytetarëve të Lezhës dhe kolegëve të tij gjatë kësaj situate të vështirë. Ai falënderoi veçanërisht protestuesit që nuk u tërhoqën pavarësisht tensioneve dhe dhunës.
Deputeti shprehu gjithashtu mirënjohjen për mjekët e spitalit ushtarak dhe QSUT, të cilët, sipas tij, i ofruan kujdesin e nevojshëm për t’u rikuperuar pas incidentit. “Falë profesionalizmit të tyre, unë jam sot këtu për të vazhduar betejën për demokracinë,” tha Gjekmarkaj.
Incidenti gjatë protestës ka shkaktuar reagime të shumta në politikën shqiptare, duke rritur tensionet mes opozitës dhe qeverisë. Deklarata e Gjekmarkajt pritet të nxisë më tej debatin mbi sjelljen e policisë dhe lirinë e protestës në vend.
Deklarata e plotë e Gjekmarkajt:
Nuk do të kisha reaguar persa ndodhi dje me mua në proteste nëse policia e shtetit nuk do me fyente se dyti me deklaraten e vet publike e dizinformuese!
Nuk e pelqej as e kerkoj viktimizimin! Madje kurrë në jeten time nuk kam kerkuar as nxitur ballafaqime fizike! Nuk kam sulmuar asnjeherë askënd! Dje thjesht jam mbrojtur. I gjindur para një makine të vogel bashkë me shoqeruesin tim , punonjes i gardes, i cili u keqtrajtua gjithashtu ndonese u tregoi edhe dokumentin identifikues, u rrethova nga një grup i madh policesh ! Ju thashe mos me prekni , jam Agron Gjekmarkaj, Nen Kryetari i Kuvendit të Republikes , deputet, pedagog Universiteti me butesi gati me humor , nuk shquhem per force fizike nuk bëj palester, ndaj bëni kujdes! Me shtynë brutalisht , me shume forcë, thyen e edhe pasqyren e vetures duke me ngritur gati në ajer mua ! Me terhoqi shoqeruesi me shumë mundim dhe një djale nga Lezha permes policeve teksa ndieja frymarrjen qe po me ngadalesohej! Sapo dola nga turma e policeve duke me terhequr te tjeret humba ndjenjat! Nuk u ndieva keq se kisha probleme me shendetin por si pasoje e veprimeve të policisë! Nuk u largova nga protesta se desha të largohem, por me detyruan, nuk u largova për të shkuar në kafe apo shtepi por në spital!
Me ka mbetur në kujtesë egersia në shikim e dy tre oficerve të policisë, zelli i tyre si dikur motit kur arrestoheshin deputet e opozites në 1946 , u dukej e padrejte që dikush guxon të protestojë kunder pushtetit të tyrë se ata e shohin pushtetin si gjënë e tyre, pse jo edhe si instrument dhune! Gjithsesi ata nuk mund të shtynin një deputet në atë menyrë pa një urdher politik!
Perfitoj nga ky rast i trishtë të falenderoj të gjithë ata që mu gjinden pranë , protestuesit , demokratet e qytetaret e Lezhes, drejtuesit dhe deputetet e PD , mjeket e spitalit ushtarak dhe ata të QSUT për ekzaminimet dhe sherbimin, falenderoj qendra miq e të njohur nga vendi e Bota per atë lum mesazhesh që kam marrë prej tyre ënde në pamundesi për tu kthyer pergjigje individualisht!
Shpreh keqaerdhje të thellë për të gjithë të lenduarit e të ndaluarit të cilet perpiqen per një Shqiperi më të mirë që nuk e moren vemendjen që mora unë! Ne nuk kemi frikë!
Sot jemi në vigjilje të Krishtlindjeve ! Qofshin ato të bardha per ju dhe të gjithë shqiptaret! Të tjerat do të jenë më të mira!
Agron Gjekmarkaj
Nen Kryetar i Kuvendit të Republikes
Nën Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë!