Rama: Mbështetje e plotë për anëtarësimin në BE dhe roli strategjik i Diasporës

Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit vjetor të Këshillit Koordinues të Diasporës, ndau lajme pozitive lidhur me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ai theksoi se në samitin e fundit në Bruksel është ndjerë një mbështetje e fuqishme dhe unanime për planin që synon përmbylljen e procesit të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.

“Ambicia jonë për ta çuar Shqipërinë e vitit 2030 në maja të ëndërruara mbështetet jo vetëm në dëshirat tona, por edhe në një realitet objektiv të marrëdhënieve të reja që kemi krijuar me Europën. Transformimet e mëdha në pozicionimin ndërkombëtar të vendit janë dëshmi konkrete e kësaj rruge,” deklaroi Rama.

Duke u ndalur te diaspora, kryeministri nënvizoi se është hapur një kapitull i ri në marrëdhëniet mes shtetit shqiptar dhe komuniteteve jashtë vendit, duke përfshirë diasporën historike dhe brezat e rinj. Ai shtoi se programi qeverisës i mandatit aktual ka përfshirë një fokus të veçantë ndaj diasporës dhe ka ndërtuar një bazë solide për zhvillime të mëtejshme.

“Kemi nisur nga një situatë ku marrëdhëniet mes shtetit dhe diasporës ishin thuajse inekzistente. Ishte një shkretëtirë institucionale kur morëm detyrën. Distanca mes shtetit dhe qytetarëve shqiptarë jashtë vendit ishte e madhe, qoftë edhe për nevoja të vogla. Por sot, kemi arritur të funksionojmë me një strategji kombëtare për diasporën,” tha kryeministri.

Ai vlerësoi krijimin e strukturave të reja si koordinatorët shtetërorë për diasporën, të cilët ndjekin sektorë dhe fusha të ndryshme të rëndësishme. Kjo qasje e re, sipas tij, ka përmirësuar ndjeshëm ndërveprimin mes shtetit dhe komuniteteve shqiptare jashtë vendit.

Kryeministri e quajti diasporën një burim të rëndësishëm mbështetjeje për vendin, jo vetëm në aspektin kulturor dhe social, por edhe financiar. “Kontributet e drejtpërdrejta të diasporës janë jetike për ekonominë tonë dhe për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë,” shtoi ai.

Duke kujtuar fillimet e vështira, Rama theksoi se ndërtimi i strategjisë aktuale për diasporën ka qenë një proces i gjatë dhe i vështirë, por që sot po jep frytet e tij. “Kemi vendosur bazat për një të ardhme më të lidhur mes diasporës dhe Shqipërisë, një marrëdhënie që i shërben mirëqenies së përbashkët,” përfundoi ai.

Deklaratat e Ramës vijnë në një moment kur Shqipëria po synon të forcojë pozitat e saj ndërkombëtare dhe të përshpejtojë procesin e integrimit evropian, duke përfshirë diasporën si një aktor kyç në këtë rrugëtim.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera