AKSIDENTET RRUGORE NË RRITJE GJATË VITIT 2026, DREJTUESIT E MJETEVE SHKAKTARI KRYESOR.

Shqipëria vijon të përballet me problematikën e aksidenteve rrugore. Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, gjatë periudhës janar-tetor 2026 janë regjistruar 1.193 aksidente rrugore, me një rritje prej 4,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Vetëm gjatë muajit tetor janë regjistruar 103 aksidente, ku 131 persona kanë mbetur të vrarë ose të plagosur. Megjithëse numri i aksidenteve ka ardhur në ulje krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, bilanci i pasojave mbetet shqetësues.

Shkaku kryesor vijon të jetë sjellja e drejtuesve të mjeteve. Sipas INSTAT, 89,3% e aksidenteve gjatë tetorit kanë ardhur si pasojë e mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugor.

Grupmosha më e përfshirë në aksidente është ajo 25 deri në 34 vjeç, e cila përbën 24,3% të rasteve të regjistruara gjatë tetorit.

Sa i përket orarit, aksidentet përqendrohen kryesisht në mbrëmje. 26,2% e tyre kanë ndodhur në intervalin 19:00 deri në 24:00. Ndërsa të mërkurat dhe të premtet kryesojnë me nga 18,4% të aksidenteve për secilën ditë, kurse e diela rezulton dita me numrin më të ulët të rasteve.

Në nivel qarku, Tirana mban vendin e parë me 435 aksidente dhe 529 persona të vrarë ose të plagosur gjatë dhjetë muajve të parë të vitit.

Pas saj renditet Durrësi me 135 aksidente dhe 182 persona të aksidentuar, ndërsa Lezha me 131 aksidente dhe 218 persona të prekur.

Të dhënat tregojnë se respektimi i rregullave të qarkullimit dhe përgjegjësia e drejtuesve të mjeteve mbeten vendimtare për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033