Në sallën e Këshillit Bashkiak të Lushnjës u zhvillua këtë të premte mbledhja e radhës për muajin nëntor, e drejtuar nga kryetari i këshillit, Erjet Dhima. Në mbledhje morën pjesë anëtarët e këshillit nga të dyja krahët politikë, si dhe përfaqësues të drejtuesve të Bashkisë Lushnjë.
Në rendin e ditës ishin përfshirë 11 pika, që lidheshin me çështje të rëndësishme për komunitetin, si ndihma ekonomike për familjet në nevojë, programi social për vitin 2027, privatizimi i banesave shtetërore, përditësimi i inventarit të pronave publike, krijimi i Muzeut Etnografik në Kolonjë, bursat për nxënësit e arsimit profesional, si dhe organizimi i aktiviteteve për festat e fundvitit.
Gjithashtu, u shqyrtua edhe miratimi i linjës së transportit për fëmijët e kopshtit të Arrës drejt shkollës së bashkuar “Pasho Kurti” në Ngurrëz të Madhe.
Por, pika që shkaktoi më shumë diskutime dhe debate ishte ajo që kishte të bënte me kërkesën e Shoqërisë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Lushnjë për ndryshimin e nivelit të tarifave të furnizimit me ujë të pijshëm dhe shërbimit të kanalizimeve.
Përfaqësuesit e kësaj shoqërie, drejtori rajonal Klajdi Shkurti, i shoqëruar nga kryeinxhinieri Fred Gjermeni, paraqitën argumentet për rritjen e tarifës së ujit nga 620 lekë në 740 lekë për metër kub, me një shtesë prej 120 lekësh.
Kërkesa u shoqërua me debate dhe pyetje nga anëtarët e këshillit, të cilët kërkuan sqarime mbi cilësinë e ujit, investimet e realizuara dhe projektet e parashikuara për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.
Pavarësisht diskutimeve mes përfaqësuesve të ujësjellësit dhe këshilltarëve bashkiakë, propozimi për ndryshimin e tarifave nuk mori miratimin e Këshillit Bashkiak. Anëtarët e opozitës votuan kundër, ndërsa këshilltarët e mazhorancës abstenuan.
Ndërkohë, projektvendimet e tjera të rendit të ditës u miratuan me konsensusin e anëtarëve të këshillit. Në përfundim u miratua edhe procesverbali i mbledhjes.
Mbledhja u ndoq nga afër nga kamerat e TV Apollo.