Mijëra tonë prodhime bujqësore rrezikojnë të humbasin çdo vit, pa u matur dhe monitoruar në mënyrë të vazhdueshme. Shqipëria ende nuk ka një sistem kombëtar të besueshëm për të evidentuar humbjet ushqimore që në fermë, ndërsa ekspertët kërkojnë masa konkrete dhe financime alternative, pa pritur programin IPARD III.
Problematika ngrihet në dokumentin e rekomandimeve të projektit evropian FOLOU, përgatitur nga YPARD Albania dhe Instituti për Bashkitë Shqiptare, me mbështetjen e ACR+, në kuadër të programit Horizon Europe.
Sipas dokumentit, propozohet një udhërrëfyes kombëtar për periudhën 2027–2030, që nis me projekte pilot për frutat dhe perimet në 2 deri në 3 rajone të vendit, përpara se sistemi të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.
Gjatë viteve 2028–2029 parashikohet zgjerimi i matjeve, krijimi i një platforme digjitale dhe mobilizimi i financimeve, ndërsa deri në vitin 2030 synohet monitorimi në nivel kombëtar, në bashkëpunim me INSTAT-in dhe institucionet përgjegjëse.
Një nga pengesat kryesore mbetet fragmentimi i bujqësisë shqiptare. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, të cituara në dokument, vendi ka rreth 359 mijë ferma, me një sipërfaqe mesatare prej vetëm një hektari, çka e vështirëson investimin individual në magazinim, frigoriferë dhe teknologji.
Për këtë arsye rekomandohen struktura të përbashkëta grumbullimi dhe ruajtjeje, si dhe mbështetje për zgjidhjet digjitale dhe agroteknologjinë.
Sa i përket financimit, autorët theksojnë se reduktimi i humbjeve nuk duhet të varet vetëm nga IPARD III, akreditimi i të cilit, në kohën e përgatitjes së dokumentit, në tetor 2026, ende nuk kishte përfunduar.
Si alternativa propozohen buxheti kombëtar, Mekanizmi i Reformës dhe Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe programet e donatorëve.
RekomandimI është i qartë: Shqipëria duhet të nisë matjen dhe parandalimin e humbjeve bujqësore që tani, duke e kthyer çdo investim në një rezultat konkret për fermerët dhe ekonominë.