Për vite me radhë, mungesa e një ure ka vështirësuar lëvizjen dhe ka izoluar në jo pak raste banorët e fshatrave Bardhaj dhe Pashtraj, në Njësinë Administrative përkatëse.
Por tashmë kjo problematikë pritet t’i përkasë së kaluarës. Ka nisur ndërtimi i urës së re në Bardhaj, një investim që financohet nga buxheti i Bashkisë Kuçovë dhe që synon t’u japë zgjidhje përfundimtare vështirësive të banorëve në qarkullim.
Ura do të jetë 30 metra e gjatë dhe 6 metra e gjerë, ndërsa projekti parashikon edhe ndërtimin e trotuarit, mureve mbajtëse me gabione dhe sistemit përkatës të kanalizimeve.
Ky investim pritet të përmirësojë ndjeshëm lidhjen mes fshatrave dhe zonave përreth, të rrisë sigurinë për këmbësorët dhe automjetet, si dhe të lehtësojë jetën e përditshme të banorëve.
Nisja e punimeve përbën një tjetër investim të Bashkisë Kuçovë në infrastrukturën rurale, ndërsa kryebashkiaku Kreshnik Hajdari e ka cilësuar këtë projekt si një ndërhyrje të rëndësishme, që do t’i japë fund një problematike të mbartur prej vitesh për komunitetin.
Me ndërtimin e kësaj ure, banorët e Bardhajt, Pashtrajt dhe zonave përreth pritet të kenë më shumë siguri, akses dhe lehtësi në lëvizje, duke lënë pas vështirësitë e shkaktuara nga mungesa e një lidhjeje të qëndrueshme infrastrukturore.