Tradita, kultura dhe krenaria kombëtare u bënë bashkë në një festë të veçantë në Grabian të Divjakës. Oborri i Shkollës së Bashkuar Grabian u shndërrua në një hapësirë të mbushur me ngjyra, tinguj dhe shije tradicionale, në edicionin e 14-të të “Panairit të Nëntorit”.
Një aktivitet tashmë i kthyer në traditë, i organizuar çdo vit nga nxënësit, mësuesit dhe prindërit, nën kujdesin e drejtuesve të shkollës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Zyrës Arsimore Divjakë, si dhe me mbështetjen e bizneseve të zonës.
Festa nisi me këngë patriotike, valle popullore dhe motive tradicionale, të interpretuara nga vetë nxënësit, të cilët sollën përmes artit kulturën e trevave të ndryshme shqiptare.
Një vëmendje të veçantë tërhoqën edhe veshjet tradicionale, që përfaqësonin krahina të ndryshme të vendit, duke krijuar një mozaik të bukur të trashëgimisë sonë kulturore.
Por festa nuk u ndal vetëm te kënga dhe vallja. Në stendat e panairit u prezantuan gatime tradicionale të përgatitura nga prindërit dhe nxënësit, prodhime bujqësore e frutikulture, si dhe objekte të vjetra familjare, të ruajtura ndër vite si relike dhe dëshmi të jetës së dikurshme në këtë fshat.
Nga një edicion në tjetrin, Shkolla e Bashkuar Grabian sjell risi, duke e kthyer këtë panair në një traditë që bashkon brezat dhe përcjell vlerat shqiptare te brezi i ri.
Nën ngjyrat kuq e zi, nxënës, mësues dhe prindër ndanë së bashku një ditë të veçantë, ku tradita nuk u kujtua thjesht si pjesë e së kaluarës, por u jetua dhe u përcoll me krenari.
Një festë që dëshmon se kultura dhe tradita ruhen më së miri kur ato bëhen pjesë e edukimit të brezave të rinj.
Grabian – aty ku tradita jeton dhe përcillet brez pas brezi.