Ndryshime të rëndësishme në sigurimin e detyrueshëm të automjeteve. Projektligji i ri i hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare synon të ndryshojë rregullat për mbulimin e aksidenteve, dëmshpërblimet dhe përcaktimin e çmimeve të policave të sigurimit.
Një ndër risitë është rritja e kufirit për trajtimin e përshpejtuar të dëmeve materiale. Nga 100 mijë lekë që është aktualisht, pragu propozohet të shkojë në 250 mijë lekë, ndërsa kompanitë e sigurimit do të duhet të kryejnë pagesën brenda 14 ditëve kalendarike, sipas kushteve të përcaktuara në projektligj.
Një tjetër ndryshim prek drejtpërdrejt drejtuesit e automjeteve. Polica e sigurimit parashikohet të ketë një periudhë shtesë mbulimi prej 15 ditësh pas përfundimit të kontratës, nëse plotësohen kushtet ligjore. Por kjo nuk është periudhë sigurimi falas, pasi mund të sjellë detyrime financiare për pronarin e automjetit.
Projektligji parashikon gjithashtu rritjen në 50 mijë lekë të kufirit për përdorimin e Raportit Evropian të Aksidentit.
Ndryshimet më të rëndësishme lidhen me kufijtë e dëmshpërblimit. Pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, mbulimi minimal për dëmet ndaj personave parashikohet të arrijë deri në 6.45 milionë euro për aksident, ndërsa për dëmet ndaj pronës në 1.3 milionë euro.
Por këto limite nuk hyjnë në fuqi menjëherë. Deri në anëtarësimin në BE do të vijojnë të zbatohen kufijtë e periudhës kalimtare, ku për automjetet e zakonshme parashikohen 100 milionë lekë për dëmet ndaj personave dhe 20 milionë lekë për dëmet materiale.
Projektligji parashikon edhe rregulla të reja për llogaritjen e dëmeve biologjike, morale dhe ekonomike, si dhe për përcaktimin e primeve të sigurimit. Ndërsa dokumenti është ende në fazën e konsultimit publik, mbetet për t’u parë se si do të reflektohen këto ndryshime në koston e sigurimit dhe në mbrojtjen e qytetarëve në rast aksidentesh.