Rruga e Krasniqve në Koçaj kërkon investim.

Rruga e lagjes së Krasniqve, në fshatin Koçaj, Njësia Administrative Fiershegan, Bashkia Lushnjë, vijon të jetë një shqetësim për banorët e kësaj zone, të cilët prej vitesh presin ndërhyrjen për rikonstruksionin e saj.

Bëhet fjalë për një segment rrugor rreth 280 metra të gjatë, i cili u shërben afro 20 familjeve. Prej më shumë se tre dekadash, kjo rrugë nuk ka njohur investimin e nevojshëm, duke u kthyer në një problem të përditshëm për banorët.

Gjatë stinës së dimrit, rruga mbushet me gropa, ujë dhe baltë, ndërsa në verë pluhuri dhe amortizimi e bëjnë edhe më të vështirë lëvizjen. Në këto kushte, banorët, fëmijët dhe automjetet detyrohen të përballen çdo ditë me vështirësi, pavarësisht se lagjja ndodhet pranë aksit rrugor Lushnjë-Berat.

Por, pas një komunikimi me institucionin e Bashkisë Lushnjë, duket se pritjes së gjatë të banorëve po i vjen fundi.

Sipas informacionit të bërë të ditur nga institucioni, rruga e Krasniqve pritet të përfshihet në projektbuxhetin e vitit 2027, me qëllim ndërhyrjen për rikonstruksionin e saj.

Një investim i shumëpritur për afro 20 familjet e kësaj lagjeje, që tashmë presin që premtimi të marrë formë konkrete dhe rruga e tyre të kthehet në një segment të denjë për jetesën dhe lëvizjen e përditshme.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033