Kushtet e vështira të jetesës në fshatrat Jarua dhe Shtyllas po bëhen gjithnjë e më shqetësuese dhe problematike për banorët,të cilët po përballen me mungesën e infrastrukturës dhe degradimin e shërbimeve bazë.Llesh Marku, ish-kryetar i fshatit Jarua dhe një prej zërave kritikë për situatën në këto zona, thotë se gjendja e rrugëve që lidhin tokat bujqësore e bën pothuajse të pamundur shkuarjen në ara dhe kultivimin e tyre. Ndërkohë,kanalet e sistemit kullues,sipas tij, kanë dalë jashtë funksionit për shkak të bllokimit nga mbetjet urbane të cilat prej kohësh nuk janë pastruar.
Kjo situatë,sipas zotit Markut,po ndikon drejtpërdrejt në ekonominë dhe jetën e banorëve.Ai shprehet se shumë prej tyre po detyrohen të shesin bagëtinë dhe të largohen nga fshati,pasi nuk arrijnë të sigurojnë kushtet minimale për të jetuar dhe punuar.
Tkurrja e popullsisë është veçanërisht e dukshme në Shtyllas.Nga më shumë se 60 familje, kryesisht të ardhura nga zonat veriore të vendit,që jetonin dikur në këtë fshat,sipas Markut,sot kanë mbetur vetëm 5–6 familje.Ky realitet që denoncon zoti Marku ngre pikëpyetje për të ardhmen e këtyre komuniteteve dhe kërkon vëmendjen e institucioneve vendore për përmirësimin e infrastrukturës dhe rikthimin e kushteve normale të jetesës,pasi banoret po largohen jashte vendit duke i lënë fshatrat pothuajse pa njerëz ose me shumë pak të banore.
FSHATRAT JARUA DHE SHTYLLAS PO SHPOPULLOHEN,BANORËT LARGOHEN NGA KUSHTE TË VËSHTIRA JETES.