Bashkia Roskovec ka pritur përfaqësues të Asamblesë Rajonale dhe Vendore Euro-Mesdhetare,në kuadër të sesionit të 17-të plenar të kësaj asambleje, një forum ndërkombëtar që bashkon përfaqësues të qeverisjes rajonale dhe vendore nga Evropa,Azia dhe Afrika.
Kryetarja e Bashkisë Roskovec,Majlinda Bufi,e vlerësoi këtë takim si një mundësi të rëndësishme për promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe forcimin e rolit të pushtetit vendor në nismat për zhvillimin rajonal.
Sipas saj,vizita kulturore dhe studimore në Roskovec u krijon mundësi përfaqësuesve të huaj të njihen nga afër me projektet lokale, ndërsa për bashkinë përbën një hap drejt zgjerimit të bashkëpunimit dhe krijimit të mundësive të reja për përthithjen e fondeve dhe projekteve evropiane.
Gjatë takimit referuan dhe diskutuan edhe përfaqësues të delegacionit të Asamblesë Rajonale dhe Vendore Euro-Mesdhetare,të cilët u ndalën te rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve vendore dhe te shtyllat kryesore të Paktit për Mesdheun.
Me ftesë të drejtpërdrejtë të kryetares së Bashkisë Roskovec,Majlinda Bufi, në takim mori pjesë edhe Barbaros Büyüksağnak, drejtor i Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë të Bashkisë Metropolitane të Stambollit dhe sekretar i përhershëm i Rrjetit të Qyteteve Ballkanike B40.
Në përfundim, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve vendore të Bashkimit Evropian dhe partnerëve të Mesdheut Jugor,me synim nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm rajonal dhe krijimin e urave të reja të bashkëpunimit ndërkombëtar.