Ka përfunduar rikonstruksioni i plotë i rrugës kryesore që përshkon lagjen e komunitetit rom në Fier, e njohur ndryshe si “Rruga e Romëve”, në zonën e Drizës.
Ky segment rrugor ka një funksion të rëndësishëm për zonën, pasi lidh jo vetëm lagjen e komunitetit rom, por edhe lagjen e Korçarëve në fshatin Drizë, si dhe ish-zonën industriale, ku ushtrojnë aktivitetin e tyre disa biznese.
Pas ndërhyrjes, rruga ofron standarde bashkëkohore, me trotuare për këmbësorët, ndriçim dhe sinjalistikë horizontale e vertikale. Sipas tabela se të dhënave për investimin, Bashkia Fier ka financuar rreth 36,7 milionë lekë, pa TVSH, për rikonstruksionin e këtij aksi rrugor me rendesi jetike per kominitin dhe biznesin.
Banorët e komunitetit rom shprehen se investimi erdhi pas ankesave të tyre të vazhdueshme për gjendjen e rrugës, e cila për vite me radhë ka qenë një shqetësim për lëvizjen dhe përditshmërinë e tyre.
Sipas banorëve, punimet përfunduan rreth katër muaj pas nisjes së tyre. Ata thonë se e kanë ndjekur nga afër ecurinë e investimit, për shkak të rëndësisë që ka kjo rrugë për jetën e komunitetit.
Përtej përmirësimit të infrastrukturës, rikonstruksioni pritet të lehtësojë lëvizjen e banorëve drejt tregjeve dhe institucioneve, si dhe komunikimin me zonat ku ata sigurojnë të ardhurat e tyre përmes tregtimit të artikujve të përdorur.
Për komunitetin rom të Drizës, kjo ndërhyrje përfaqëson një përmirësim të kushteve të përditshme të jetesës dhe të lidhjes me pjesën tjetër të qytetit.
FIER | PËRFUNDON RIKONSTRUKSIONI I RRUGËS SË ROMËVE NË DRIZË.