Rrezikoi djegien e pyllit në Divjakë, kapet në flagrancë 29-vjeçari nga Kryekuq.

Një 29-vjeçar dyshohet se ka ndezur zjarr në fshatin Kryekuq të Divjakës, duke rrezikuar përhapjen e flakëve drejt pyllit të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta. I riu është kapur pranë vatrës së zjarrit nga shërbimet e Policisë dhe është shoqëruar në komisariat.

Ngjarja është regjistruar sot, rreth orës 13:25, kur Policia ka marrë njoftim për një vatër zjarri në fshatin Kryekuq. Flakët po përhapeshin me shpejtësi, duke rrezikuar një sipërfaqe pyjore brenda parkut kombëtar.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe ato të zjarrfikëses, të cilat kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.

Si pasojë e zjarrit, është djegur një sipërfaqe toke e mbuluar me bimësi të egër dhe shkurre. Fatmirësisht, ndërhyrja e shpejtë ka bërë të mundur shuarjen e flakëve, duke shmangur rrezikimin e mëtejshëm të pyllit.

Pranë vatrës së zjarrit, uniformat blu kanë kapur shtetasin me inicialet A. M., 29 vjeç, banues në Divjakë, i dyshuar si autor i zjarrvënies.

Ai është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Divjakë, ku do të kryhen veprimet e mëtejshme procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033