DURRËS – PREJ 10 VITESH NË DEGRADIM, RRUGA QË LIDH PERIFERINË ME QYTETIN PRET REHABILITIMIN.

Prej më shumë se 10 vitesh, një nga akset e rëndësishme rrugore në qytetin e Durrësit vijon të jetë në gjendje të amortizuar. Gropa të shumta, mungesa e sinjalistikës dhe dëmtimi i elementeve anësore të rrugës e kanë kthyer qarkullimin në një shqetësim të përditshëm për drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonës.

Bëhet fjalë për segmentin e rrugës transballkanike, që lidh periferinë me qytetin dhe shërben si një nga akset e rëndësishme të qarkullimit drejt portit industrial dhe zonës së NAFTE-s. Në këtë aks ndodhet edhe Universiteti “Aleksandër Moisiu”, ndërsa rruga përdoret çdo ditë nga automjete të tonazhit të rëndë, mjete private dhe qytetarë të shumtë.

Pavarësisht rëndësisë që ka për qarkullimin dhe ekonominë e zonës, kjo rrugë prej vitesh pret ndërhyrjen për rehabilitim. Gropat e shumta i detyrojnë drejtuesit e mjeteve të ulin ndjeshëm shpejtësinë, ndërsa në disa raste rrezikojnë dëmtimin e automjeteve.

Edhe pse në segmente të caktuara janë kryer ndërhyrje të pjesshme për mbushjen e gropave, problemi vijon të përsëritet. Dëmtimet e reja shfaqen sërish, duke e bërë të vështirë dhe të pasigurt lëvizjen në këtë aks kryesor.

Ndërkohë, në anët e rrugës vërehen edhe elemente infrastrukturore të dëmtuara, përfshirë barrierat mbrojtëse, disa prej të cilave janë zhvendosur pas aksidenteve. Mungesa e një ndërhyrjeje të plotë ngre shqetësime për sigurinë rrugore, veçanërisht për automjetet e rënda që përshkojnë këtë segment çdo ditë.

Banorët e zonës dhe drejtuesit e mjeteve kërkojnë një zgjidhje përfundimtare, duke theksuar se taksat dhe detyrimet për qarkullimin paguhen rregullisht, ndërsa infrastruktura vijon të mbetet në gjendje të amortizuar.

Përveç lidhjes me portin industrial, ky aks ka rëndësi edhe për lëvizjen drejt zonave periferike dhe zonës së plazhit jashtë qytetit të Durrësit.

Pas më shumë se një dekade degradimi, pyetja që mbetet është: kur do të nisë rehabilitimi i plotë i kësaj rruge dhe kur do të marrin fund problemet e përditshme për drejtuesit e mjeteve?

Këto pamje vijnë nga kamerat e TV Apollon, ndërsa shqetësimi vijon të jetë i pranishëm për banorët dhe të gjithë ata që e përshkojnë këtë aks të rëndësishëm rrugor në Durrës.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033